E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shqipëria, vendi i investimeve të ardhshme"

Duke bërë një kalim të shpejtë të ngjarjeve ndaluam në Piemonte (Itali), ku organizohen shumë aktivitete domethënëse dhe të rëndësishme për Shqipërinë, që për shumë italianë, është vendi i investimeve të ardhshme. "Kombi shqiptar po i afrohet Evropës me të drejta të plota", thotë gjatë një interviste ekskluzive Xhovani Firera (Giovani Firera), konsulli honorar i Shqipërisë në Torino.

Kemi lënë pas tashmë vitin 2008. Cili është bilanci i aktiviteteve diplomatike në Piemonte?

Vitin 2008 nuk mund ta konsideroj, veçse një vit jashtëzakonisht pozitiv nga pikëpamja e punës së bërë për Shqipërinë. Shumë gjëra kanë ndodhur edhe këtu në Piemonte dhe jam krenar për këtë, pasi thuajse të gjitha kanë parë përfshirjen dhe kontributin tim direkt e personal. Një punë që ishte një përmbledhje e shumë viteve të kaluara nga pikëpamja diplomatike dhe për kombin e Shqipërisë. Një punë e bërë 360 gradë e që ka krijuar hapësirë në territore të ndryshme, që nga ai ekonomik, industrisë prodhuese, ai kulturor dhe social, ai i pastër institucional dhe përfaqësimit në nivelet më të larta me një impakt të fortë dhe imazh pozitiv në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ndonjë eveniment në veçanti?

Të flasësh për ndonjë eveniment do të ishte reduktuese. Shumë evenimente të marra në mënyrë të veçantë, kanë përfaqësuar momente të sensibilizimit në nivel institucional dhe nivel mediatik të rëndësishëm. Kanë vënë në evidencë një komb, që është në zhvillim të fortë social dhe ekonomik, nxorën në pah progresin e tij ndërkombëtar. Një komb që po afrohet në pjesën më të madhe të Evropës; me titull dhe të drejta të plota.

Nga pikëpamja institucionale?

Pa asnjë dyshim, vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Torino. Një nder i madh për mua, por më siguri dhe për të gjithë shqiptarët në Piemonte. Një prezencë jo vetëm domethënëse nga pikëpamja institucionale, por e rëndësishme dhe për interesin që ka ngjallur në ambientet institucionale dhe ekonomike në Piemonte, të mos harrojmë se prej kohësh është konsideruar një nga rajonet e para italiane nga pikëpamja ekonomike dhe industriale.

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, erdhi për të mbajtur dhe një "lectio magistralis" në Universitetin e Torinos...

Vizita e Presidentit pati si origjinë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet universitetit të Torinos dhe, më saktësisht, Fakultetit të Juridikut. Në fillim dukej një projekt i vështirë për t‘u realizuar, por falë një Presidenti "të madh" në të gjitha kuptimet, të gjitha projektet mund të realizohen sidomos kur motorin e veprimeve e udhëheq ‘ndjenja e lartë ndaj shtetit‘. Dhe kjo ndodhi me Presidentin Topi në Torino. Pa marrë parasysh atë që u përgatit rreth kësaj vizite që u zhvillua rregullisht, pati momente ‘të larta‘ dhe të perceptuara nga i gjithë kombi shqiptar. Sidoqoftë, një sukses i madh për gjithë Shqipërinë. Dhe siç ju thashë më parë, nuk munda veçse të ndihem krenar që e gjithë kjo ndodhi.

Të flasim për Universitetin. U nënshkrua një marrëveshje historike mes Torinos dhe Tiranës...

Një punë e gjatë dhe delikate që mori përgatitje të shumta gjatë muajve, por që u mbyll lehtësisht me një protokoll marrëveshje dhe bashkëpunimi mes rektorit të UNV të Tiranës, Dhori Kule në Tiranë dhe Ezio Pellizzetti në Torino. Një ‘marrëveshje historike‘, që fillon të vërë dialog në nivel ndërkombëtar, mes dy sistemeve më të larta universitare. Nga kjo marrëveshje shumë gjëra mund të realizohen për të mirën e Shqipërisë, në fushën universitare. Përgatitja akademike dhe një shkollë e mirë eficente, është e padiskutueshme për një komb, që po zhvillohet dhe që po kërkon në këtë sektor pika të qarta dhe referime evropiane.

Universiteti i Torinos është ndër më antikët dhe historik në Itali, sigurisht më i përfaqësuari, me siguri mund të përfaqësojë një pikë referimi universitar për shumë të rinj, student shqiptarë që po i afrohen Evropës. Për këtë më lejoni të falënderoj ata njerëz që kanë qenë të rëndësishëm dhe e mundësuan gjithë këtë. Ata që kuptuan shpirtin dhe rëndësinë e marrëveshjes: presidentët e dy fakulteteve, Sergio Vinciguerra dhe Skënder Kaçupi dhe rektorët Ezio Pellizzetti e Dhori Kule.

Presidenti Topi takoi edhe liderët ekonomikë dhe industrialë të Piemontes...

Gjatë vizitës në Torino, Presidenti, pas takimit me universitarët e Piemontes, ka takuar në selinë historike të Institutit Bankar San Paolo në Piaza San Carlo, sistemin e tërë ekonomik-industrial piemontez. Bashkëpunimi i ngushtë me bankën e ‘San Paolos‘ bëri të mundur që Presidenti Topi të takonte Unionin Industrial të Torinos, l‘Api (Shoqatën e Industrialistëve të Vegjël), CNA (strukturën më të madhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme), Dhomën e Tregtisë së Torinos e, natyrisht liderët e grupit ‘Intesa San Paolo‘.

E gjithë kjo pati një ‘regjisor‘ të madh dhe absolut, Presidentin Ing. Enrico Salza. Dhe këtu Shqipëria pati një sukses të madh. Sistemi ekonomik i Piemontes ka dëgjuar drejtpërdrejt me zërin e Presidentit të tyre, perspektivat, pritshmëritë dhe përgjegjësitë ndërinstitucionale që kombi merr përsipër. Shqipëria sot shikohet gjithnjë si vendi të cilit duhet t‘i kushtohet vëmendje për investimet e ardhshme.

Do flasim përsëri për 2008-ën?

Do të flasim për evenimente të tjera. Mund të fillojmë me konferencën që u organizua në zemër të institucioneve rajonale të Piemontes, që vuri përreth një tavoline problematikat e Kosovës me përfaqësuesit institucionalë të të dyja vendeve. Sigurisht para se të shpallej pavarësia. Një sukses i plotë qoftë në nivel institucional dhe ndërkombëtar, përveç publikut direkt të interesuar. Konferenca e parë në Itali ku u fol për problematikat e punëtorëve të huaj, pati të bëjë me incidentet në punë dhe fajtorin-heshtje të mediave, si dhe autoriteteve kompetente për përqindjet e rasteve që tashmë janë tejet të larta. U është vënë gishti, torturave të sistemit, që minimizojnë situata e që rrezikojnë të bëhen një plagë e madhe sociale. Mund të flasim për vizitën e parë në qershor të zv/ministrit për Integrimin, Bushati, botën e investitorëve në Piemonte, në përgatitje për një mision të ndërmarrjeve shqiptare. Mund të flasim për udhëtimin e organizuar në mes të muajit qershor, më përfaqësues rajonalë të organizatave dhe ndërmarrjeve API (shoqata e industrialistëve të vegjël) dhe CNA (konfederata kombëtare e artizanatit të vogël dhe të mesëm). Takimet që patëm në Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, me Konfindustrian në Shqipëri.

Projektet për sensibilizimin finalizuan në favor të ndërmarrjeve piemonteze për të lehtësuar një ndërhyrje në sistemin ekonomik, produktiv në Shqipëri. Mund të flasim për ndërmarrjet shqiptare të ftuara falas në METEF (Salloni më i madh i ekspozitës së metaleve të hekurta në Evropë), që pa një pjesëmarrje sinjifikative të ndërmarrjeve shqiptare. Bashkëpunim e ngushtë dhe raportet e mira me Konfindustrinë Lombarde ishin themelore.

Mund të flasim për evenimentin e madh kulturor të të gjitha kohërave (për historinë e Shqipërisë), të paktën deri më sot: prezenca në Torino e të madhit Ismail Kadare, gjatë manifestimit ‘Torino Spiritualità‘. Një sukses kulturor i paprecedent ku imazhi i Shqipërisë pati rezultat të madh pozitiv. U pa faqja tjetër e një kombi që di të shprehet në nivel ndërkombëtar me individualitet dhe shkëlqim absolut, universalisht i pëlqyer.

Mund të flasim për manifestimin e madh të organizuar, siç ishte ‘Oy, oy, oy‘ në Casale Monferrato, ku Shqipëria mori çmimin si ‘vendi i duhur‘, për punën e madhe humanitare të bërë nga shqiptarët në luftën e fundit botërore, ku asnjë shtetas hebre nuk është vrarë nga dora e nazistëve.

Mund të flasim për manifestimin e parë kulturor të konsullatës së bashku me Container Art, ku kanë dialoguar dy artistë shqiptarë kontemporanë që ekspozuan veprat e tyre në dy kontejnerë të lidhur mes tyre e të vendosur në sheshin ‘Skënderbej‘ në Tiranë dhe tjetra në ‘Piazza Castello‘ në Torino. Kush hynte në kontejner në Torino mund të shikonte drejtpërdrejt Tiranën dhe anasjelltas. Një manifestim që është filmuar në nivelin mediatik, gjerësisht dhe që pa Tiranën në qendër të interesave kulturore institucionale. Gjërat që u bënë në Piemonte, mendoj se ishin të rëndësishme dhe sinjifikative, që e vunë Shqipërinë në radhën e parë dhe në evidencë. Momente të rëndësishme që rivlerësojnë shumë shtetasit shqiptarë në territorin italian, si shtetas dhe si qytetarë të integruar mirë dhe mbi të gjitha, të rregullt ndaj ligjeve e rregullave.

Thuajse 500 mijë shqiptarë kanë zgjedhur Italinë si vendin e tyre për të zhvilluar aspiratat dhe mbi të gjitha për të gjetur kushtet e jetës dhe perspektivat për familjen e tyre. Një punë, që unë si konsull honorar, e quaj të vështirë, por shumë ekzaltuese, që më lejoi të shoh një popull tek rritet i vetëdijshëm dhe i vendosur, për shumë gjëra, për t‘u përmirësuar dhe duke ecur në rrugën e drejtë; atë evropiane. Shumë shpejt besoj.

Si ju duket Shqipëria sot, e krahasuar me disa vite më parë?

Do të flisja në krahasim më disa muaj më parë. Në këto vite kam shkuar shumë shpesh në Shqipëri dhe dua të them se në harkun e disa muajve shikohet dhe është evidente që është një vend që ndryshon shumë shpejt. Që ka dëshirë të rritet, të përmirësohet, të ndihet pjesë e historisë evropiane. Hapat që po ndërmerr janë më të vërtetë të mëdhenj, në të gjitha kuptimet. Dhe ky perceptim po përhapet gjithnjë e më shumë. Është e rëndësishme; ai që ka nderin të zgjedhë njerëzit që do të drejtojnë progresin, do të dijë të zgjedhë njeriun e duhur në vendin e duhur. Vendimet janë të vështira nganjëherë, por të rëndësishme dhe themelore, për të drejtuar në mënyrën e duhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›