E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Sulejman Pitarkës

Sot do të festonte 85-vjetorin e lindjes. Por Sulejman Pitarka, aktori i njohur i skenës teatrore dhe kinemasë, do t‘i mbyllte sytë dy vjet më parë. Kujtimi i tij i fundit lidhet me shfaqjen "Pjata prej druri" me regji të Gëzim Kames, kur aktori 82-vjeçar, mbështetur mbi shkopin e drunjtë hynte në derën e Teatrit Kombëtar për t‘u ngjitur në skenën e provave. Roli i tij, ai i gjyshit të familjes ishte edhe njëherë një konfirmim i suksesit të tij autorial. Protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi, Pitarka kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar si portrete origjinale që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues në skenë. "Halili dhe Hajria", "Borgjezi fisnik", "Epoka para gjyqit", "Vajza me flokë të thinjura", "Prefekti" etj., janë disa nga pjesët teatrore ku interpretoi, ndërsa pati role edhe në filmat si "Debatik", "Furtuna", "Horizonte të hapura", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Gjeneral Gramafoni", "Ballë për ballë". Sulejman Pitarka lindi në Dibër më 2 shkurt të 1924-ës. Më 1927, kur ai ishte në moshën trevjeçare, familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945-‘47) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951 u përzgjodh për t‘iu bashkangjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës "Familja e peshkatarit". U nda nga jeta më 24 mars 2007.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›