Lidhja e kontratave për shërbimin spitalor
05/01/2010 Ndëshkimet për mjekët në rastet e abuzimeve
Treguesit mbi të cilët do të matet puna e mjekëve
Shërbimi spitalor në të gjithë vendin gjatë muajit janar do të lidhë kontratat me Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, i cili do të jetë blerësi i vetëm i kujdesit spitalor. Aktualisht janë përcaktuar edhe detajet që do të përmbajnë kontratat e reja që do të nënshkruhen ndërmjet institucioneve të ndryshme spitalore të shtrira në të gjitha rrethet e vendit. Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve që do të ofrohen për pacientët për bluzat e bardha, këtë vit do të aplikohen kritere të reja, të cilat, nëse gjejnë zbatimin e duhur, do të lejojnë marrjen e shtesave mbi pagën e përcaktuar. Konkretisht, ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 39 spitale publike, nga të cilat 4 spitale në nivel terciar. Ndërkohë me aplikimin e kontratës së re ndërmjet institutit dhe spitaleve synohet të hidhen konceptet bazë për përmirësimin e cilësisë në shërbimin spitalor. Risi në kontratën spitalore të vitit 2010 është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh, të cilët janë: përqindja e shfrytëzimit të shtratit (sa më e lartë të jetë, aq më efikas është spitali), përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi), përqindja e pacienteve të shëruar që kanë dalë nga spitali (sa më e lartë të jetë, aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve). Pjesë e këtyre treguesve do të jetë edhe përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët, tregon performancë të mirë të maternitetit).
Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe identifikojë lëvizjen e pacienteve si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Mirëfunksionimi i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime.
Kontratat e reja synojnë gjithashtu forcimin e rolit të kontrollit në spitale. Moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10 000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30 000 lekë te reja, deri në masa të tjera administrative, si propozim për largim nga puna.