E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010, nën ujë Shkodra e Lezha, Ushtria në alarm

05/01/2010  Qarku Shkodër më i prekuri. Ushtria dhe policia evakuojnë me forcë banorët
Drini evakuon 250 njerëz, dy ministri në gatishmëri
Reshjet e shumta që kanë përfshirë zonën veriore të vendit, batica detare, si dhe së fundmi hapja e portave të kaskadave mbi lumin Drin, kanë sjellë përmbytje të shumta në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Mbi 250 persona janë evakuar, një pjesë e tyre edhe me forcë për shkak se në banesat e tyre niveli i ujit ishte rritur ndjeshëm duke nxjerrë jashtë funksionit pjesën më të madhe të orendive shtëpiake. Ndërkohë që disa banesa kanë pësuar plasaritje nga lagështira e tepër që kanë marrë muret dhe themelet. Për të përballuar situatën Ministria e Brendshme në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, kanë dislokuar njerëz pranë zonave të mbuluara nga uji, me qëllim dhënien e ndihmës së parë për personat që janë në rrezik si dhe shmangien e ndonjë tragjedie të mundshme. Shefi i Emergjencave Civile, Alfred Olli, foli dje se situata në këto dy qarqe po normalizohet dhe se ka një ulje të nivelit të ujit me 20 cm. Nga vlerësimi paraprak që janë kryer rezulton se në Bashkinë Shkodër janë përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr.1. Në lagjen “Ajasem”, “Bahçallëk” dhe “Tophane” janë evakuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambientet e Turizmit në Shkodër. Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar në repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Ndërkohë për këto familje janë duke u dërguar nga rezerva e shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime e veshmbathje. Gjendja problematike vazhdon të jetë edhe në komunën Ana e Malit. Sipas vlerësimit, paraprak është përmbytur rreth 850 ha tokë. Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 13 janë evakuar më parë dhe 15 familje janë evakuar dje. Pikërisht në këtë komunë, si dhe në lagjen ku jeton komuniteti Rom, policisë si dhe trupave ushtarake i është dashur të përdorin forcën për evakuimin e banorëve, pasi këta të fundit nuk kanë pranuar të largohen nga frika e grabitjeve. Kjo situatë kaotike që ka përfshirë zonën, ka sjellë mungesën e ujit të pijshëm si dhe mungesën e energjisë elektrike. Për më shumë se një javë banorët, po gdhihen me qiri dhe me frikën e shembjes së banesave të tyre. Specialistë të KESH-it si dhe forca të shumta të repartit të xhenios, po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike, si dhe furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm.
Punohet për ndërtimin e argjinaturave
Qarku i Lezhës, situata drejt normalizimit nga dalja e detit
Ministria e Brendshme njofton se situata në qarkun e Lezhës po shkon drejt normalizimit. Në dallim me qarkun e Shkodrës, këtu një pjesë e përmbytjes ka ardhur nga batica detare, ku si pasojë e së cilës u mbuluan nga uji fshati Ishull Shëngjin, si dhe disa fshatra të tjerë përreth tij. Aktualisht në këtë qark po vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen “Stome”, fshatin Ishull Shëngjin. Ndërkohë që në teren po punojnë forca dhe mjete të ushtrisë, të policisë së shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor. Në dispozicion të tyre janë vënë 11 makina vetëshkarkuese, tre ekskavatorë dhe tre fadroma. Sipas ministrisë, në zonën e Tales nuk ka asnjë problem, uji është larguar dhe nga tokat bujqësore. Për normalizimin e situatës janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore, të cilat aktualisht kanë kaluar në gatishmëri të plotë. Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile dhe shtabet e emergjencës në qarqet Shkodër e Lezhë po monitorojnë hap pas hapi situatën dhe po koordinojnë veprimet me strukturat e varësisë për zgjidhjen e problemeve dhe përballimin e situatës.
Më të prekurat komunat Dajç, Ana e Malit
Shkodër dhjetëra fshatra në ujë, 112 trupa të ushtrisë në teren
Niveli i lartë i ujit nuk ka kursyer edhe zonën e komunës së Dajçit, ku janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. Në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje. Në fshatin Semrisht ka dëmtime të argjinaturës. Në këtë komunë janë të dislokuara dy zjarrfikëse për mbrojtjen nga përmbytja të dy kabinave elektrike. Në terren në qarkun e Shkodrës, janë dislokuar forcat operacionale me përbërje 15 mjete të policisë së shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të FNSH-së Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone. Ndërkohë që në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga Ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetëshkarkuese dhe 6 motobarka gomone. Dje në drejtim të komunës Ana e Malit janë nisur 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli që do të montohen në këtë komunë, pasi niveli i ujit ka ndërprerë qarkullimin e automjeteve në disa pjesë të rrugës. Edhe në këtë komunë po bëhen përpjekjet maksimale për të mos lejuar futjen e ujit në kabinat elektrike, pasi jo gjë do të sillte përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Situata në qarqet Lezhë-Shkodër
Qarku Lezhë:
1. Zona të përmbytura
2. Lagjja “Stome”
3. Fshati Ishull Shëngjin
4. Fshati Tale
Në dispozicion
1. 11 makina vetëshkarkuese
2. 3 ekskavatorë
3. tre fadroma
Qarku Shkodër
Bashkia Shkodër
1. Përmbytur 600 ha tokë
2. Evakuar 37 familje
3. Strehuar 11 familje
4. Evakuar 130 persona Rom
5. Ndihma 100 pako ushqime
Komuna Ana e Malit
1. Përmbytur 850 ha tokë
2. Prezencë uji 130 shtëpi
3. Evakuar 28 familje
4. Ndihma 150 pako ushqime
Komuna Dajç
1. Përmbytur 1000 ha tokë
2. Prezencë uji 70 banesa
3. Evakuar 53 familje.
Në dispozicion
1. 40 mjete në terren
150 trupa në terren
KESH: Nga 27.2 milionë kWh/ditë prodhim, eksportohen 11.5 milionë kWh
Energjia, prodhimi në vend arrin nivele rekord
Prodhimi i energjisë në nivele maksimale dhe shkarkimi i ujit në kaskadën e lumit Drin shihen nga drejtues të KESH-it si rrugëdalje për normalizimin e situatës hidrike. Aktualisht, të dhënat që vijnë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se prodhimi i energjisë është në nivele rekord prej 27.2 milionë kilovat orë në ditë, nga të cilat 21.2 milionë kilovat orë në ditë shkojnë për konsum të brendshëm dhe 11.5 milionë kilovat orë eksportohen jashtë vendit.
Shkarkimet e ujit
Korporata Elektroenergjetike njoftoi se shkarkimet e ujit të tepërt të grumbulluar javën e fundit si rezultat i reshjeve në liqenet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë bërë që të arrihen kuotat e nevojshme për normalizimin e gjendjes. Nga të dhënat zyrtare të KESH-it niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka zbritur me 32 centimetra, por ende mbetet sipër kuotës së lejuar prej 291 metra. Aktualisht, uji në këtë liqen shënon kuotën rreth 292. 9 metra. Drejtues të Korporatës Elektroenergjetike shprehen se shkarkimet do të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme për të shmangur vështirësitë e krijuara deri më tani, apo situata të tjera të ngjashme, pas shkrirjes së borës në zonat malore. Sipas të dhënave të KESH-it, në liqenin e Fierzës shkarkohen aktualisht 440 metra kub ujë në sekondë, në Koman 500 metra kub në sekondë dhe në Vaun e Dejës 700 metra kub ujë në sekondë.
Prodhimi i energjisë
Sa i takon prodhimit të energjisë elektrike në vend bëhet e ditur se po shfrytëzohen në mënyrë maksimale kapacitetet e hidrocentraleve, duke plotësuar kërkesën e brendshme për energji, por edhe duke e tregtuar jashtë. “Prodhimi aktual është 27.2 milionë kilovat orë energji në ditë, ndërkohë që konsumi llogaritet në rreth 21.1 milionë kilovat orë në vend”, – shprehen drejtues të KESH-it. Eksporti i energjisë është gjithashtu në nivele të larta për këtë periudhë të vitit, por do të vazhdojë deri në fund të muajit. Aktualisht depozitimi i energjisë elektrike bëhet në Kosovë dhe ashtu si në periudhat e kaluara do të tërhiqet në një kohë të mëvonshme.
Qëndrimi i Partisë Demokratike
“Rroftë përmbytja”, alternativa e Edi Ramës
Partia Demokratike ka vlerësuar si të padenjë qëndrimin që përfaqësues të Partisë Socialiste ka mbajtur ndaj përmbytjeve në vend. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka thënë dje se fatkeqësitë natyrore, tashmë janë e vetmja alternativë e kryetarit socialist Edi Rama. “Edi Rama dhe bllokmenët e rinj, pasi kaluan pushimet e fundvitit në Burjalarab dhe detet e nxehtë, u sollën sot shqiptarëve si urim, “Rroftë përmbytja”. Deklarata e Edi Ramës për përmbytjet, është një dëshmi tjetër se ai si alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore”, ka thënë Mëhilli. Zëdhënësja demokrate ka bërë me dije se reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenj u përballuan me dëmet më minimale. Sipas saj, kjo për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumenj. “PD shpreh edhe një herë vlerësimin dhe mbështetjen më të madhe për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendor të të gjitha niveleve, për forcat e policisë, Emergjencat Civile dhe të ushtrisë, bordeve të kullimit, të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompensueshme”, tha Mëhilli.
Deklarata e PS-së
Beqja: Qeveria e paaftë të menaxhojë situatën në veri
Partia Socialiste u shpreh dje e shqetësuar për situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e disa komunave të Lezhës dhe të Shkodrës. Sipas deputetit të PS-së, Ilir Beqja, kjo parti vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales. “Urojmë e shpresojmë që askujt të mos i cenohet jeta, pasi ata janë sot në mëshirë të motit dhe fatit e të braktisur nga qeveria e tyre. Por situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtorin e emergjencave civile”, vlerësoi Beqja. Në gjykimin e tij, situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit. “Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet”, u shpreh ai. Për këtë arsye, Beqja i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve.
Takimi i 6 nëntorit 2009
Basha lajmëroi prefektët për situatën kaotike
TIRANE- Situatën problematike të përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore duket se e kishte ndjerë i pari ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili për t’i paraprirë kësaj situate në datën 6 nëntor të vitit 2009, mblodhi në Tiranë të gjithë prefektët e vendit, dhe i kërkoi atyre marrjen e masave për përballimin e përmbytjeve dhe izolimin e akseve rrugore. Gjatë takimit ministri Basha u shpreh se në muajt në vijim secili prej prefektëve, veçanërisht ata të qarqeve më në rrezik, duhet të inventarizojnë dhe njohin situatën për çdo aspekt. Të sigurohet gatishmëria e strukturave lokale për të përballuar hapjen e arterieve kryesore rrugore të qarkut si dhe shmangien e përmbytjeve. “Çdo zonë dhe veçanërisht zonat e thella të kenë stoqe të mjaftueshme medikamentesh bazë për popullsinë. Të sensibilizohen drejtuesit lokalë dhe nëpërmjet tyre popullsia për përgatitjet e duhura”, u shpreh Basha. Mirëpo siç duket, fjalët e ministrit dhe masat e mara nga prefektët nuk i kanë bërë ballë sasisë së madhe të ujit që vinte nga deti Adriatik si dhe nga prurjet e mëdha të lumit Drin. Gjatë vitit të shkuar qeveria ka akorduar fonde me vlerë 271 milionë lekë si për riaftësimin e objekteve publike, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga dukuritë natyrore dhe për dhënien e ndihmës financiare familjeve të prekura nga këto dukuri.
3500 ha tokë
Kjo është shifra e përmbytjes së sipërfaqes tokësore në qarkun e Shkodrës. Menjëherë pas hapjes së portave të tre hidrocentraleve në lumin Drin, shumë toka e panë veten nën uji. Zyrtarë pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Shkodër thanë se si pasojë e vërshimit të ujërave, janë dëmtuar shumë toka të mbjella me grurë dhe kultura të tjera bujqësore. Ndërkohë që specialistët e Drejtorisë Bujqësore në qarkun e Lezhës thanë se nga dalja e detit toka në disa fshatra të këtij qarku, ka humbur prodhueshmërinë, pasi aktualisht ajo është kripëzuar dhe për pasojë në të nuk mund të ritet asnjë bimë. Për të kthyer situatën në vend, specialistët shprehen se aktualisht duhet shumë vite punë.
Energjia dhe uji
Pjesa më e madhe e zonave të përmbytura janë përfshirë nga mungesa e ujit të pijshëm dhe energjia elektrike. Mungesa e kësaj të fundit, ia ka vështirësuar akoma edhe më tepër jetesën banorëve të këtyre zonave, të cilëve u është dashur të gdhijnë natën me qiri. Ndërkohë që tepër vështirësi në qarqet Lezhë-Shkodër është hasur edhe në gjetjen e ujit të pijshëm, pasi në tubacionet e ujësjellësit rrjedh ujë i pisët, për shkak se uji i shirave dhe përmbytjeve është bashkuar me ujin e pijshëm. Ndërkohë të gjitha puset që ndodhen në oborret e banesave, janë përmbytur çka ka bërë edhe daljen jashtë funksionit të tyre. Aktualisht ushtria dhe policia po punojnë për shpërndarjen e bidonëve me ujë në të gjithë zonën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›