E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidia Cardinale, sfilatë mode në Vlorë

Mbi 60 modele veshjesh u prezantuan të martën në mbrëmje në sfilatën e stilistes italiane, Lidia Cardinale, organizuar në një prej hoteleve të vendosura pranë bregdetit të Ujit të Ftohtë në Vlorë, organizuar nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në këtë qytet. Për rreth 50 minuta, 6 vajza të reja nga Vlora, të përzgjedhura prej vetë Cardinales, sfiluan në një mjedis festiv nën ritmin e muzikës së zgjedhur, duke krijuar një atmosferë mondane në pistën e improvizuar pranë një pishine.

Në veshjet e prezantuara spikaste stili "Alta Moda", në veshjet e ditës, të koktejit, të mbrëmjes dhe të martesës. Ato dallonin për përdorim të materialeve tekstile të derdhura dhe me cilësi të lartë, me një dizajn profesional e klasik dhe me një kombinim interesant të ngjyrave. Alternoheshin mjaft mirë ngjyrat bezhë me të zezën, rozën dhe lejlanë. Një stil i veçantë spikaste në veshjet e nusërisë, baza e stilimit të të cilave ishte mëndafshi.

Të pranishmit, qytetarë të moshave të ndryshme, të rinj e të reja, vlerësuan performancën e sfilatës. Stilistja Lidia Cardinale, pasi falënderoi organizatorët për këtë aktivitet, iu përgjigj pozitivisht interesimit të të pranishmëve për të çelur një "show-room" në mjediset e hotelit, ku do të paraqiten veshjet e prezantuara në këtë mbrëmje dhe ato që përfshihen në koleksionet e dizajnuara prej saj. Ky "show-room" do të qëndrojë i çelur deri në fund të këtij muaji, duke qenë i hapur për publikun e gjerë. Kjo ishte sfilata e parë që organizon stilistja italiane Lidia Cardinale në qytetin e Vlorës e në Shqipëri dhe që, sipas saj, do të pasohet edhe nga të tjerë në të ardhmen.

Ajo ka organizuar të tilla aktivitete në Los Anxhelos (SHBA), në Rusi, Arabi Saudite, Bullgari, ndërkohë që është pjesëmarrëse në javën e përvitshme të modës, në Milano (Itali) ku ka edhe "show-room"-in e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›