Lidington: Palët të nisin dialogun politik, të kapërcehet ngërçi
Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington i ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të nisin dialogun politik për të bërë të mundur përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto, Lidington theksoi se Bashkimi Europian kërkon që Shqipëria të kapërcejë ngërçin politik ndërsa nga liderët të marrin masa për të rivendosur dialogun politik që më pas të vijohet me reformat të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e Shqipërisë.
Gjithashtu Lidington deklaroi se Britania është e shqetësuar për situatën paszgjedhore në Shqipërin ndërsa theksoi se me rëndësi mbetet që vendi të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese se sa rezultati I zgjedhjeve.
“Jemi të shqetësuar për situatën në Shqipëri. Përsa i përket detajeve ato u takojnë instutucionve, gjykatave por ajo që ka rëndësi nuk është rezultati sesa fakti që palët të bëjnë përpjekje për të gjetur mirëkuptim që të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese. Mund të ketë debate por këto duhen bërë brenda kuadrit demokratik dhe ligjor. Reformat kanë rëndësi për integrimin dhe realizimi i tyre kërkon angazhimin dhe përkushtimin e palëve në Shqipëri” theksoi Lidington.
I pyetur për qëndrimin e opozitës për të bojkotuar Kuvendin, Lidington theksoi se opozita duhet të përballojë sfidën e saj në Parlament.
“Pas përfundimit të shpalljes së rezultateve ajo që ka rëndësi është që opozita ta vërë qeverinë në pozita pune që ajo të japë llogari në Parlament por gjithashtu opozita duhet të përballojë sfidën e saj por kjo duhet të bëhet nëpërmjet parlamentit” theksoi Lidington.
Ndërkohë ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto i pyetur për vendimin e Kolegjit zgjedhor dhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme theksoi se politika duhet të heshtë përpara vendimit të institucioneve ndërsa theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në vitin 2013.
“Tani është koha që gjykatat dhe institucionet të flasin dhe politika duhet të heshtë. Kjo mazhorancë është solide ashtu siç u tregua edhe nga vota e këtyre zgjedhjeve” theksoi Haxhinasto.