Liga Arabe i bën Sirisë propozime për reforma

Gjatë një takimi në Doha, kryeqytetin e Katarit, ministra të Ligës Arabe i dorëzuan një delegacioni nga kryeqyteti sirian, Damask, propozime për reforma për zgjidhjen e konfliktit.
Në të njëjtën kohë, ata i bënë sërish thirrje kryetarit të diskutueshëm të shtetit, Bashar al-Assad, që të ndalë menjëherë gjakderdhjen.
Në Siri dolën në rrugë përsëri përkrahës të shumtë të opozitës.
Ata i bënë thirrje Ligës Arabe që të pezullojë anëtarësinë e Sirisë. Më parë Assadi e kishte paralajmëruar Perëndimin prej ndërhyrjes.
Një ndërhyrje e tillë do të shkaktonte një "Afganistan të dytë", kërcënoi ai në një intervistë për një gazetë.
Kryeministri i Katarit, Hamad bin Jasim al-Thani, kryesoi bisedimet në kryeqytetin e vendit, Doha.
Ai tha se Sirisë i është paraqitur një propozim “pozitiv” dhe “serioz”, që duhet të vihet në zbatim menjëherë.
Al-Thani tha se lidhja të mërkurën do të vendosë se çfarë masash do të marrë ndaj Sirisë,
pasi të dëgjojë përgjigjen e qeverisë së Assadit.