Liga Arabe i jep tre ditë kohë Sirisë

Liga Arabe i ka dhënë tre ditë kohë Sirisë për "të ndaluar shtypjen e përgjakshme" ndaj protestuesve dhe të lejojë hyrjen e ekipeve të vëzhguesve.
Liga Arabe gjithashtu kërkoi tërheqjen e përfaqësuesit të Sirisë nga kjo organizatë.
Pas një takimi të shteteve anëtare në Marok, ministri i jashtëm i Katarit, Sheik Hamad bin Jasim Al-Thani, tha se Siria do të përballet me sanksione nëse nuk bashkëpunon.
Jasim tha se "qeveria siriane duhet të nënshkruajë protokolin e dërguar nga Liga Arabe dhe t`i japë fund të gjithë dhunës kundër demonstruesve".
Ndërkohë që bisedimet zhvilloheshin, turmat sulmuan ambasadat e Marokut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në Damask, ndërsa Franca dhe Maroku njoftuan për tërheqjen e ambasadorëve të tyre.