E Diel, 1 Nëntor 2026

Liga Arabe në pritje të përgjigjes së Damaskut

Liga Arabe thotë se Siria e ka neglizhuar afatin e fundit për të lejuar vëzhguesit por ka njoftuar se do të presë Damaskun deri në fund të ditës për të marrë një përgjigje.

Më parë Liga ka njoftuar se nëse Damasku nuk pranon vëzhguesit për të vlerësuar progresin e një plani të Ligës për t`i dhënë fund gjakderdhjes tetë mujore, ata do të takohen të shtunën për të diskutuar mbi sanksione të reja, duke përfshirë një ndalim të mundshëm të tregtisë me Sirinë.

Më herët komiteti kundër torturës i Kombeve të Bashkuara, tha se ka regjistruar raporte të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Siri, duke përfshirë arrestimin dhe gjymtimin e fëmijëve.

Kreu i panelit, Klaudio Grosman, tha në një deklaratë se “komiteti ka shqyrtuar raportet e shumta, të qëndrueshme dhe të verifikueshme dhe informacionet rreth shkeljeve të të drejtave në vend".

Më tej ai shtoi, “një shqetësim i veçantë janë raportet që u referohen fëmijëve të cilët kanë vuajtur tortura dhe gjymtime kur janë arrestuar”.

Ky komitet ka kërkuar nga qeveria e Sirisë, që të ofrojë një raport deri më datën 9 mars, ku do të bëhen të ditura masat që po ndërmeren për tu siguruar në zbatimin e detyrimeve të saj ndaj konventës së Kombeve të Bashkaura kundër torturës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›