Liga Arabe pezullon Sirinë
Liga Arabe ka pezulluar Sirinë nga çdo aktivitet, duke nisur nga 16 nëntori. Damasku nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet të organizatës së madhe arabe përsa kohë nuk i ka dhënë fund shtypjes së protestave në vend.
Lajmin e ka dhënë ministri i jashtëm i Katarit, vend i cili mban presidencën e radhës të Ligës Arabe. Në dokumentin final, të gjitha vendet anëtare të Ligës Arabe angazhohen se do të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Sirinë e duke i imponuar asaj sanksione ekonomike dhe politike. Gjithashtu, sispas këtij dokumenti Liga do të mbajë kontakte me organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe OKB-në.
Në favor të vendimit të përbashkët kanë votuar 18 nga 22 vendet anëtare. Opozita siriane është ftuar në Kajro gjatë ditëve të ardhshme, në një takim ku do të diskutohet mbi një projekt tranzicioni për vendin e udhëhequr nga presidenti Bashar al Asad. Sipas OKB-së, gjatë 7 muajve të protestave në Siri kanë humbur jetën mbi 3500 veta.
Ndërkohë, edhe Siria ka reaguar për vendimin e Ligës Arabe, përmes ambasadorit të saj pranë kësaj organizate. Vendimi i Ligës Arabe është i paligjshëm sepse dhunon statutin dhe rregullat e brendshme të saj. Kjo tregon se drejtimi i saj është i diktuar nga programet e SHBA-së dhe Perëndimit, tha ambasadori sirian. Yousef Ahmad.