E Diel, 1 Nëntor 2026

Liga e Kampionëve, kualifikohen pretendentët

Pas fitores së një jave më parë në Greqi, spanjollët e Atletiko Madridit fituan 2-0 në “Visente Kalderon” përballë Panathinajkosit. Autogoli i Vintras në minutën e 4-t u pasua nga një gol i argjentinasit Serxho Aguero shtatë minuta para përfundimit, duke i dhënë kualifikimin bardhekuqve.

Në Belgjikë, Lioni mposhti vendasit e Anderlehtit 1-3, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 8-2. Heroi i mbrëmjes së djeshme për francezët ishte Lisandro Lopez, që shënoi tre gola për ekipin e tij. Për belgët, shkurtoi diferencën Suarez në minutën e 51-të.

Kualifikohet edhe Zyrihu, pas fitores 2-1 në shtëpi ndaj kampionëve të Letonisë, Ventspils. Për zviceranët shënoi Vonlanten në minutën e 6-të dhe Abdi në minutën e dytë shtesë, kurse për miqtë barazoi përkohësisht Tigirlash në minutën e 8-të.

Edhe hungarezët e Debreçenit siguruan një vend në fazën e grupeve, pasi fituan edhe takimin e kthimit 2-0 përballë bullgarëve të Levskit të Sofjes. Golat për vendasit u shënuan nga Varga në minutën e 13-të dhe Rudolf në të 35-tën.

Në takimin e fundit, izraelitët e Makabi Haifas fituan ndaj Salzburgut 3-0. Për vendasit shënuan Dvalishvili në minutën e 31-të, Golasa në të 57-tën dhe trefishoi Gadir në fund të ndeshjes.

Ja rezultatet e ndeshjeve të mbrëmshme:

Atletiko Madrid – Panathinajkos  2 – 0
Anderleht – Olimpik Lion  1 – 3
Zyrih – Ventspils  2 – 1
Debreçen – Levski Sofia  2 – 0
Makabi Haifa – Salzburg  3 – 0

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›