E Diel, 1 Nëntor 2026

Dalin pak

Dy zyrtarët e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, po qëndrojnë në Bruksel gjatë dy ditëve të fundit. Takimet me zyrtarë të BE’së po ndodhin në kohën kur kjo lëvizje shpesh po cilësohet si antieuropiane dhe e izoluar. Analisti Shkëlzen Maliqi, ndër të tjera, vlerëson se përmes kontakteve direkte ndërkombëtarët po përpiqen t’i zbusin pozicionet e këtij subjekti për proceset në vend.

Dy udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, janë takuar me zyrtarë të BE’së dhe shtetit belg , ku kanë përsëritur qëndrimet e tyre se janë kundër bisedimeve me Serbinë dhe kundër marrëveshjes së fundit për fusnotë.

Para zyrtarëve të BE’së, udhëheqësit e subjektit të tretë politik në Kosovë kanë treguar se janë të interesuar edhe për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar shtetin.

“Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim paraqiti para Komisionit Evropian vizionin e vet për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, me vëmendje të veçantë në luftimin e papunësisë, luftimin e korrupsionit përmes legjislacionit të domosdoshëm dhe zhvillimit institucional të gjyqësorit, si dhe përsëriti edhe njëherë kundërshtimin ndaj dialogut me Serbinë dhe koncesioneve të vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën, e që po e dobësojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe perspektivën që Kosova të bëhet sovrane, ndërkohë që nuk po e ndryshojnë aspak qasjen e Serbisë ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Në ditën e dytë në Bruksel, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë takuar me Drejtorin e përgjithshëm të Drejtoratit për zgjerim, Stefano Sannino, zëvendësi i tij, Joost Korte, Drejtori për çështje të Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Serbisë, Pierre Mirrel.

“Eurodeputetët, zyrtarët e Qeverisë së Belgjikës dhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje u pajtuan që edhe në të ardhmen të zhvillojnë takime dhe diskutime të tilla dhe të mirëmbajnë një komunikim të rregullt”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kundërshtuar propozimet ndërkombëtare dhe udhëheq politikën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Aktivitetin politik e zhvillon në Kuvend dhe me protesta, të cilat nuk janë përkrahur as nga pjesa tjetër e partive opozitare.

Megjithëkëtë, lëvizjet e fundit të udhëheqësve të Vetëvendosjes drejt Brukselit shihen si pozitive për skenën politikë të Kosovës.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se europianët dëshirojnë të dëgjojnë drejtpërdrejt Vetëvendosjen, si një prej faktorëve të rëndësishëm në skenën politike.

“Edhe Vetëvendosje ka nevojë pak me i sqaru disa pozicione dhe është një prej faktorëve në skenën politike të Kosovës me potenciale edhe konstruktive edhe dekonstruktive që të huajt tash duan me marrë në konsideratë dhe me e vlerësua drejtpërdrejt në biseda e jo përmes komenteve ose analizave që bëhen prej ambasadave të tyre”, ka thënë Maliqi për Express.

“E shoh edhe si mënyrë që ta zbusin pak dhe të mos mbesin krejt si një faktor që pengon procesin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, raportet mes Albin Kurtit dhe ndërkombëtarëve duhet të jenë normale dhe jo kundërshtuese.

“Nuk ka nevojë bashkësia ndërkombëtare me u armiqësua me Vetëvendosjen, por me gjet një lloj mirëkuptimi. Është mirë që Vetëvendosje të ketë sa më shumë dialog me ndërkombëtarët”.

Ky analist vlerëson se subjekti i Albin Kurtit ka perspektivë në Kosovë, sidomos tek të rinjtë dhe kjo mund të jetë njëra prej arsyeve që ndërkombëtarët i janë afruar Vetëvendosjes.

“Është faktorë relevantë në skenën politike me një lloj perspektive. Ka përkrahje te rinia dhe duhet të konsiderohet si nga të huajt, si Brukseli e Gjermania, me pas informata nga dora e parë dhe mos me i lanë si krejtësisht të izoluar”, ka deklaruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje është themeluar në qershor të vitit 2005 dhe ka funksionuar si organizatë joqeveritare, e cila ka kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit dhe bisedimet për statusin që janë zhvilluar në Vjenë para shpalljes së pavarësisë.

Në pesëvjetorin e themelimit, Vetëvendosja e Albin Kurtit vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e fundvitit 2010 dhe doli partia e tretë në nivel të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›