E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cooper: Dialogu do të vazhdojë

Ndërmjetësi i BE’së në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper thotë se dialogu do të vazhdojë. Ai nuk ka treguar nëse një gjë e tillë do të ndodhë edhe para zgjedhjeve në Serbi, që pritet të mbahen në maj. Cooper ndër të tjera ka thënë se rezultatet e arritura në dialog kanë tejkaluar parashikimet.

Ndërmjetësi i BE’së në dialogun Prishtinë –Beograd, Robert Cooper ka deklaruar se rezultatet e arritura në këtë proces i kanë tejkaluar pritjet që kanë ekzistuar një vit më parë, kur dy palët janë ulur në tryezën e bisedimeve.

Cooper ka deklaruar për mediet serbe se bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë dhe se ende ka punë për të bërë.

“Gjatë vitit në të cilin është zhvilluar dialogu kemi arritur 7 marrëveshje të rëndësishme”, ka thënë Cooper.

“ Kjo është një gjë e mirë dhe mendoj se i kemi tejkaluar pritjet”, ka thënë ai.

Emisari i Catherine Ashton ka theksuar po ashtu se bisedimet e këtij lloji janë shumë të vështira, por, sipas tij, duhet pasur parasysh se dy palët kanë vendosur për herë të parë një dialog direkt.

“Përveç kësaj, dialogu ka përmbushur premtimin për avancimin e bashkëpunimit, përmirësimin e jetës së njerëzve të rëndomtë dhe se do t’i afrojë palët më afër Bashkimit Europian”, ka thënë ai.

“Megjithatë, na pret ende punë dhe dialogu do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Sido që të jetë, Cooper nuk ka treguar se kur do to t’i ftojë palët në Bruksel për vazhduar dialogun.

Në raundin e fundit, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal.

Tani pritet që palët të diskutojnë për energjetikën dhe telekomunikacionin.

Por, kjo, sipas të gjitha gjasave, do të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve në Serbi, të cilat pritet të mbahen në muajin maj.

Bashkimi Europian ka kërkuar që Serbia të pajtohet për telekomunikacionin dhe energjetikën në mënyrë që të mund të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union.

Por, pavarësisht se ende në këtë proces kanë mbetur për t’u diskutuar çështje të ashtuquajtura teknike, gjithnjë e më shumë ka paralajmërime se dy palët mund të fillojnë një raund të negociatave politike siç është çështja e veriut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›