Ligjet, Berisha: PS-ja ti votojë që nesër, referendumi masë ekstreme
Elbasan- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se qeveria do të vijojë angazhimin për përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa tha se në katër vitet e ardhshme paga e mësuesve do të shkojë në 700 dollarë.
Duke folur nga Elbasani, pasi bëri inagurimin e shkollës 9-vjeçare Adem Krasniqi , ai tha se investimet në sistemin arsimor do të jenë gjithmonë të vazhdueshme.
Arsimi është prioritet i qeverisë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1.300 shkolla në të gjithë vendin. Do të bëjmë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në vend. Këto vite përmirësimi i cilësisë në arsim ka kaluar edhe nivelin e fqinjëve tanë. Kemi rritur rrogat deri në 140 përqind ndërsa në 4 vitet e ardhshme rrogat e arsimtarëve do të shkojnë në 700 dollarë,- tha Berisha.
Më pas ai u ndal në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, ku inaguroi biblotekën e re. Më pas ai u ndal në një takim me studentët dhe u shpreh se kur vendi qeverisej nga socialistët kishte mjaft probleme, në arsim, transport dhe energjitikë.
Shqipëria kishte drita në qytet diku 8-12 orë. Në fshatra 3-4 orë. Skishte ujësjellësa dhe rrugët e saj ishin rrugët më të shkatërruar, më të rrënuara se të çdo vendi tjetër. Por ku ishte sistemi arsimor. Po lexoja një raport të BB-së për arsimin, në vitin 2000 u diplomuan 6 mijë studentë. Një komb tre milion dhe tu jap shifrën tjetër, sa ishte përqindja e diplomuar para pesë vitesh? Ajo ishte 3.4%, dhjetë herë më e ulët se në SHBA. Tetë herë më e ulët se vendet Skandinave. 7 herë më e ulët se BE-ja,- tha Berisha.
Më tej ai ka thënë se opozita ka bllokuar integrimin e vendit, duke thënë se shqiptarët kanë arritur një nivel të konsiderueshëm zhvillimi duke e mundësuar integrimin evropian.
Ne jemi të gatshëm që nesër ti votojmë. Kemi deklaruar referendumin si masë ekstreme. Pasi opozita bëri një dëm të pariparueshëm, ne jemi të gatshëm ti votojmë këto ligje. Kjo është Dita e Evropës. Dita e mirënjohejes ndaj atyre vendeve që i kanë dëshmuar shqipërisë mbështetje,- tha Berisha.