E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: 5 nga 70 ligjet e sesionit, në kundërshtim me Kushtetutën

Partia Socialiste ka deklaruar se në fillimin e muajit janar do të çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, 5 nga 70 projektligjet që ka miratuar parlamenti në sesionin parlamentar që sapo u mbyll. Kështu, përfaqësuesit e PS-së kanë theksuar se nismat që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe se duhet të pezullohen, janë ato që kanë të bëjnë me taksat e biznesit të vogël, moratoriumin e skafeve, ngritjen e inspektoratit special të ndërtimit dhe heqjen e makinave për deputetët. Përfaqësuesit e PS-së kanë theksuar se qeveria me anë të nismave të marra për taksat e biznesit e ka bërë të vështirë ekzistencën e biznesit të vogël në vend. Nga ana tjetër, në rastin e moratoriumit të skafeve, përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar si të pakuptimtë shtyrjen edhe me tre vite të ndalimit të lundrimit të skafeve në ujërat tona territoriale. Sipas tyre, marrja e një vendimi të tillë dëmton biznesin turistik dhe diskriminon shqiptarët. Po kështu, në rastin e ngritjes së inspektoratit special, opozita është e mendimit se kjo nismë është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse i merr kompetencat njësive vendore. Nga ana tjetër, sipas opozitës, heqja e makinave për deputetët është marrë për të penalizuar opozitën. Sipas deputetëve të opozitës, kjo nismë merret për të penguar punën e deputetëve të Partisë Socialiste dhe nuk ka si qëllim kursimin e shpenzimeve operative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›