E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve, miraton në parim draftin e ndryshimeve në Ligjin e SHISH, u kërkuan nga kreu aktual i shërbimit sekret

Komisioni i Ligjeve diskutoi me dyer të mbyllura ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, një kërkesë kjo që erdhi nga vetë shefi i shërbimeve sekrete, Bahri Shaqiri. I shoqëruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, me të cilin ka pasur gjatë kësaj kohe konsulta për përmirësimin e ligjit, në prani të kamerave, zoti Shaqiri, fillimisht, sqaroi përse janë të nevojshme ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit.
“Kemi kërkuar amendimin e ligjit me synim për t’iu përgjigjur kushteve të reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendimi vinte si nevojë dhe domosdoshmëri edhe në kuadër të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese”, u shpreh Shaqiri.
Shefi i Shërbimeve Sekrete përmblodhi në tetë pika propozimet e shërbimit për ndryshimin e ligjit, ku më të rëndësishmet kanë të bëjnë me fushat e veprimtarinë e tij brenda dhe jashtë vendit.
“Kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit, që do të thotë se, në kushte të reja, SHISH mund të kryejë veprime të specializuara tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit; kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit; mbledhjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe, organizata, që i mbështesin dhe i financojnë ata; mbledhjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe të gjithë llojet e trafikimit të paligjshëm”, u shpreh Shaqiri.
Shefi i Shërbimeve Sekrete ka kërkuar siguri me ligj edhe për operacione që shërbimi kryen nëpërmjet atyre që Shaqiri i cilësoi si “struktura ilegale”.
“Mbrojtja e sigurisë së veprimtarisë së SHISH, duke shtuar mbrojtjen e operacioneve që realizohen edhe nga struktura ilegale, të objekteve dhe pajisjeve që kanë të bëjnë me veprimet informative-operative të SHISH. Për realizimin e kësaj detyre rregullat dhe procedurat të propozohen nga drejtori i SHISH dhe të miratohen nga Kryeministri. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në sigurimin e realizimit të detyrave nga punonjësit e SHISH, por edhe në kontrollin efikas të tyre gjatë kësaj veprimtarie”, u shpreh më tej, Shaqiri.
Pas këtij raportimi, Komisioni i Ligjeve miratoi në parim ndryshimet e propozuara në Ligjin e SHISH.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›