E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialog me zgjedhësit, Berisha prezanton në Elbasan projektin e autostradës që e lidh me Tiranën për 15 minuta

Kreu i qeverisë premton nga Elbasani nisjen e punimeve për projektin madhor, duke e konsideruar këtë si angazhimin më solemn të kabinetit gjatë këtij mandati qeverisës. Berisha premtoi gjithashtu përpara qytetarëve të Elbasanit, rritje të pagave dhe pensioneve dhe më shumë vende të reja pune


Kryeministri Sali Berisha ka nisur serinë e tij të takimeve me qytetarët, duke u ndalur fillimisht në qytetin e Elbasanit, për të prezantuar projektin më të rëndësishëm të mandatit, të autostradës Tiranë-Elbasan. Përpara qindra e mijëra qytetarëve të pranishëm, shefi i ekzekutivit, deklaroi se autostrada e cila në pjesën më të madhe do të përshkohet nga një tunel disa kilometra i gjatë, është pjesë e rëndësishme e Boshtit të Jugut dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm ekonomik, jo vetëm për Tiranën dhe Elbasanin, por për të gjithë Shqipërinë. “Projekti i ri për rrugën që parashikon të shkurtojë dukshëm distancën me kryeqytetin do të jetë më madhori për këtë 4 vjeçar. Por, realisht është i kushtueshëm. Autostrada do të jetë një vepër e kushtueshme, ndoshta më e kushtueshmja në vend, por që do të shndërrohet në një faktor madhor zhvillimi, duke krjiuar një treg unik, të gjithanshëm dhe të përbashkët me Kryeqytetin. Kjo autostradë realizon një ëndërr të qytetarëve elbasanas për të ardhur në Tiranë për 18 minuta. Por, kostoja nuk do të jetë gjë përballë fitimeve që do të ketë Elbasani. Mendojmë se rruga do të fuqizojë ekonomikisht Elbasanin, pasi infrastruktura është fuqia e ndryshimit”, u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e tij, para qytetarëve të Elbasanit, duke shtuar njëherazi se “kjo rrugë, pjesë e boshtit të jugut e shndërron Elbasanin në pjesë integrale me metropolin. Më pas kryeministri shtoi se në 4 vjet qeverisje të të së djathtës, Shqipëria do ketë rrjetin rrugor më modern, pasi ekonomia shqiptare mund ta përballojë këtë. “Ekonomia nuk iu përkul krizës, ne i kemi rritur të ardhurat dhe do rrisim pagat në të ardhmen. Kemi investuar në 2 vite plot 18% të GDP”, theksoi Berisha. Në takimin në Elbasan, kryeministri Berisha u shoqërua nga ministrat Lulzim Basha e Sokol Olldashi. Kreu i qeverisë kreu takime edhe me autoritete vendore të Elbasanit dhe me qytetarë. Projekti parashikon që autostrada Tiranë-Elbasan të jetë e gjatë 31.17 kilometra, me 4 korsi, 7 mbikalime dhe 3 nënkalime. Për ndërtimin e tij është zgjedhur trajektorja më e shkurtër, Tiranë- Lundër- Mullet.


Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në takimin me qytetarët e Elbasanit:


“Të nderuar zotërinj ministra, i nderuar zoti kryetar i bashkisë, zoti prefekt dhe kryetar i qarkut, zoti rektor, zotërinj deputetë, të dashur qytetare dhe qytetarë të Elbasanit!
Kam nder të madh dhe kënaqësi të veçantë që vij sot tek ju, në prag të ditës së verës, me një lajm të gëzuar, me përfundimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan apo e segmentit të parë të Boshtit të Jugut, që përbën edhe veprën më madhore që Shqipëria ndërton në këtë 4 vjeçar.
Autostrada Tiranë-Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka një rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Kjo autostradë e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës. Kjo autostradë realizon një ëndërr të kahershme të qytetarëve të Elbasanit për të arritur Tiranën duke çarë malet dhe, faktikisht, kjo do të ndodhë gjatë këtyre dy viteve që vijnë. Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore, sepse me ndërtimin e Boshtit të Jugut, segmenti i parë i të cilës është autostrada Tiranë-Elbasan, rruga kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e Sarandës, Konispolit, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Beratit, Gramshit do të jetë kjo autostradë. Po e tillë do të jetë ajo për Kolonjën, Korçën, Pogradecin, Librazhdin.
Kjo autostradë është vërtet një vepër e kushtueshme dhe ka të ngjarë të jetë më e kushtueshmja që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, por ka edhe impaktin absolut pozitiv për të gjithë Shqipërinë juglindore dhe jugore. Pra, ajo shndërrohet në një faktor madhor zhvillimi, krijon për qytetin e Elbasanit një treg pothuajse unik me Tiranën, krijon një treg të gjithanshëm të përbashkët me kryeqytetin, tregun e punës, të shitjeve, tregun në tërësi, valorizon dhe rrit në progresion gjeometrik vlerën e tokës dhe të gjitha vlerat e tjera të tregut në Elbasan, por edhe në rrethe të tjera.
Shumë shpjet, në një hark kohor shumë të shkurtër, ne do të shkojnë në Berat. Kam kënaqësinë t’ju informoj se kemi përfunduar edhe projektin e Boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, 40 kilometra, gjysmë ore nga Memaliaj në Berat. Një projekt ky tmerrësisht i kushtueshëm, me dy tunele, me ura po kaq problematike. Pra, në kompleks Boshti i Jugut, segmenti i parë i të cilit është autostrada Tiranë-Elbasan, ka një kosto shumë të lartë, më të lartë ndoshta, sesa autostrada Tiranë-Morinë, por është e domosdoshme, sepse nuk mundet që shqiptarët të shkojmë më shpejt nga Tirana në Prishtinë, sesa nga Tirana në Sarandë. Ne duhet t’i shkurtojmë distancat dhe vendi të mblidhet. Ne jemi vend malor dhe kjo e tëra kalon nëpër tunele. Nuk mund të ndërtosh rrugë të shkurtra në Shqipëri, nëse nuk ndërton tunele. Ndaj dhe ne do ecim me tunele, ndonëse janë shumë të kushtueshëm dhe mund t’u them se, për fat të keq, edhe gjeologjia e shkëmbinjve tanë është jo aq e përshtatshme për tunele. Por ne nuk tërhiqemi, do të ndërtojmë tunele sigurisht këtu në Qafë Kërrabë, në malet midis Beratit dhe Tepelenës, në Kardhiq, në Qafë Plloçë, në Qafë të Murrizit dhe kudo. Natyrisht çmimet janë të kripura, por këtë ne e bëjmë, sepse, absolutisht, nuk ka asgjë më të çmuar dhe me asgjë nuk mund të vlerësohet koha e qytetarëve shqiptarë. Ajo është më e çmuara. Me asgjë nuk mund të zhvillohet më shpejt një vend, sesa me një rrjet rrugor modern. Fuqia e Romës qëndronte tek rrugët e saj, këtë e mëson historia. Fuqia e zhvillimit të një vendi përcaktohet më shumë, se nga çdo gjë tjetër, nga rrjeti rrugor i tij. Në katër vjet, ne do të bëjmë që Shqipëria të ketë rrjetin rrugor më modern në Ballkan dhe ndër më modernet në Europë.
Natyrisht, këto janë projekte shumë të kushtueshme dhe një qeveri mund të mendonte t’i shtynte pak, ta merrte më qetë. Por koha është e pamëshirshme. Nuk duhet të humbasim asnjë ditë, duhet të bëjmë çdo përpjekje që t’i përfundojmë sa më shpejt. Duhet që qytetarët e Elbasanit ta ndjejnë se janë shndërruar në një pjesë të kryeqytetit një vit e më parë, duhet që qytetarët shqiptarët nga Tirana dhe kudo të mund të shkojnë në Sarandë, vendin më të bukur të Mesdheut, në kohë sa më të shkurtër.
Ne jemi të sigurt në projektet tona. Guximi ynë, në një kohë krize botërore, buron së pari, nga gjendja ekonomike e vendit. Ekonomia shqiptare nuk është një ekonomi e madhe, por është një ekonomi e fortë, entuziaste, dinamike, është e vetmja ekonomi në Europë që nuk u përkul nga kriza dhe këtë nuk e them unë, por e thotë mbarë shtypi botëror, e tha Fondi Monetar Ndërkombëtar tre ditë më parë, e thonë të gjitha institucionet.
Përse ekonomia shqiptare, e gjithë Shqipëria ia doli që në kulmin e krizës të ketë rritjen më të madhe në Europë? A është ajo, një ekonomi e shkëputur nga bota? Absolutisht jo. Shqipëria nuk ka një bankë të vetën kombëtare, të gjitha i ka të huaja. Eksportet e saj shpërndahen në të gjithë botën. Shqipëria nuk ka as një mall të ndaluar për import. Ajo është pjesë integrale e ekonomisë rajonale, e ekonomisë europiane, e ekonomisë globale.
Atëherë, a mos po ecin ne në kundërrymë? Jo, aspak. Ne jemi në realitetin dhe të drejtën tonë. Ne ruajtëm rritjen ekonomike, në një kohë kur të tjerët ranë në mënyrë dramatike. Rritja jonë ekonomike erdhi, sepse ne kemi sistemin fiskal më të lehtë në Europë, barrën fiskale më të ulët për bizneset, se çdo vend tjetër i Europës. Rritja jonë ekonomike dhe ekonomia jonë rezistoi, sepse ne, me reformat tona, kemi bërë që qytetarët shqiptarë të paguajnë për rrogëtarët e tyre më pak se të gjithë qytetarët e Europës. Kur pesë vite më parë ju premtova në këtë sallë, qeveri të vogël, jo të shumtë ishin ata që e kuptuan domethënien e saj. Por qeveri e vogël do të thotë, i dashur qytetar, që nga portofoli dhe buxheti yt, t’i të paguash burokratët dhe zyrtarët shumë më pak, se të tjerët. Administrata dhe sektori publik shqiptar ka të punësuar më pak se gjysmën e sektorit publik të Maqedonisë. Këto kohë lexoja që qytetarët e një vendi, për shkak të krizës së egër, shihnin me inat dhe kërshëri të madhe punonjësit e sektorit publik që jetonin mbi taksat e tyre. Ne ju përmbajtëm platformës, qeveri e vogël. Dhe kjo qeveri e vogël bëri që ne të kemi mundësi të rrisim pagat. Në këtë sallë, para intelektualëve të Elbasanit, premtova se në mandatin që shkoi nuk do të ketë pensionist që do të marrë një pension më pak se 100 dollarë. Unë e di sesa janë 100 dollarë, por janë më tepër se 60, se 70 a 80 dollarë. Dhe ne e realizuam atë.
Ne kemi respekt të madh për institucionet ndërkombëtare, me të cilat bashkëpunojmë ngushtësisht. Mos dëgjoni ç’thonë mediat, se jepen pas sensacioneve. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht me to dhe janë jashtëzakonisht të dobishme. Por ne negociojmë. Ne nuk kemi hequr dhe nuk heqim dorë nga rritja e pagave dhe pensioneve. Politika jonë është faktuar e suksesshme. Janë marrëzira e absurde fjalët se qeveria nuk ka të paguajë rrogat. Ne kemi dhe do kemi, i kemi rritur dhe do t’i rrisim pagat e pensionet. Për këtë ju garantoj. Kjo është politikë konstante.
Ku i marrim ne këto lekë, kujt ia marrim? Së pari, ia marrim burokratëve. Ne u hoqëm atyre veturat. Një shofer kushtonte 19 mijë dollarë në vit. Ne lehtësuam shpatullat tuaja, 40 milion dollarë, që të gjitha për rritje pagash e pensionesh. Besoj se për të gjithë kjo e dyta është shumë më e drejtë, sepse e para ishte në një kohë diktature. Në diktaturë, të dashur qytetarë, kryetari i kooperativës, kryetari i lokalitetit, sekretari i lokalitetit, drejtori i ndërmarrjes e me radhë të gjithë kishin nga një xhip. Tani kanë vetura private. Ne iu rritëm rrogat zyrtarëve. Ne nuk udhëhiqemi nga ndëshkimi, por nga morali. Morali nuk lejon që një zyrtar të shpenzojë karburant, goma dhe shofer 19 mijë dollarë. Ajo kohë iku.
Së dyti, po shkurtojmë shpenzimet e zyrave. Më parë, në Këshillin e Ministrave shpenzoheshin tonelata letër. Tani i keni parë Lap Top-ët para ministrave, nuk ka më letra. Kursim, vetëm kursim dhe ju garantoj se brenda këtyre 4 viteve, do ta shtrijmë këtë kursim në thellësinë më të madhe. Përdorimi i kompjuterit është jo vetëm më moderne, por edhe shumë kursimtare. Me këtë praktikë, ne jo vetëm që kemi ndërtuar një administratë jo të fryrë, por edhe me shpenzime më të pakta dhe shërbime shumë më të mira. Më dhemb në shpirt, kur marr letra nga qytetarët e Zagorisë, Sarandës, Konospolit, apo Tropojës që për një vërtetim u duhet të shkojnë në Vlorë. Imagjinoni se sa e paguajnë ata vërtetimin. Ndoshta ai e merr falas atë, por imagjinoni, e gjithë rruga sa mund t’i kushtojë. Ndaj brenda dy tre viteve, siç merrni certifikatat në gjendjen civile në mënyrë elektronike, ashtu do të mund të merret çdo vërtetim. Qeveria do të jetë e-qeveri, qeveri elektronike, për t’u ofruar juve shërbimet më të mira, më të lira e më të sigurta. Pra, ja ku dalin paratë.
Ekonomia pësoi një tronditje, por jo krizë, absolutisht. Fjala krizë në ekonomi ka një përcaktim. çdo ekonomist e di se kush quhet krizë në ekonomi. Nuk ka krizë me rritje ekonomike. Kurrë. Por a pësoi tronditje? Pësoi, sepse ra tregu në Kinë, në Indi, në Europë, kudo. Po tani që u ngjit tregu, mund të pyesni. 102 përqind është rritja e eksporteve në muajt janar dhe shkurt. Nuk kemi pasur kurrë një rritje të tillë. Ekonomia po ecën. Edhe rrugët do të ecin. Kjo është e vërteta. Ne po ecim, ekonomia qëndroi, sepse ne bëjmë investime të mëdha. Një vit më parë, isha në Davos dhe aty, kryeministri kinez, ekonomi e cila, për hir të së vërtetës qëndroi, paraqiti një plan të mbrojtjes nga kriza. Plani funksionoi dhe rritja e saj është me shumë leverdi, është ekonomi tregu. Ai tha se do të investonin në 2 vite, në infrastrukturë, 16 përqind të GDP-së. Shqipëria, në dy vite, 18-20 përqind të GDP në rrugë. Ne nuk themi se nuk kemi probleme, por të gjitha janë në pakësim dhe lehtësim. Eksportet janë dyfishuar, krediti bankar po rritet ndjeshëm, likuiditeti është i plotë. Për herë të parë kemi dalë me bonot e thesarit, letrat me vlerë të qeverisë, në tregun europian dhe për to kanë treguar preferencë të madhe, sepse së pari, i besojnë ekonomisë shqiptare. Së dyti, ne i kemi fondet, kemi miq. Ne na besojnë. Janë qindra e qindra milion euro kredi të buta që na janë ofruar dhe ofrojnë nga vendet mike dhe bankat ndërkombëtare dhe me kënaqësi të madhe. Po ju jap një shembull. Qytetarët nuk e dinë se vetëm qeveria japoneze ka një paketë mbi 200 milionë euro për rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe të tjera. Ne na besojnë. Po kështu pjesa e tunelit, duhet t’ju them se është investim, është kredi e butë pothuajse falas e Emirateve të Bashkua Arabe. Për Boshtin e Jugut, një qeveri mike, kompanitë kuvajtiane e përfunduan projektin. Jam i bindur se do bëjnë edhe kontribut të madh në financim, edhe pse nuk them se do të financohet krejt se është shumë i madh, por do të ketë financim. Qeveria gjermane, pas vizitës në Gjermani, kancelarja Angela Merkel dyfishoi ndihmat për Shqipërinë. Unë i shpreha mirënjohjen për ndihmën e madhe që na ka dhënë. Më tha se i kanë pëlqyer reforma dhe i vlerësoi. Ju e keni dëgjuar vlerësimin e madh që u bëri reformave. Ajo më tha: të kemi ndihmuar, por shumë më tepër do të ndihmojmë. Dhe mbrapa erdhi dyfishimi i ndihmave. Pra, projektet i kemi, paratë i kemi, fjalët do t’i mbajmë, ëndrrat do t’i shndërrojmë në realitet.
Edhe një herë ju uroj gëzuar Ditën e Verës dhe ju garantoj se shumë shpejt, së bashku, do të presim shiritin e fillimit të punimeve të autostradës Tiranë - Elbasan.”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›