Kartat, reagon Ministria e Brendshme: “Është e pamundur fabrikimi i dokumenteve biometrike”

Disa ditë pasi përfaqësues të opozitës deklaruan në parlament se një nga format e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit ka qenë dhe ajo nëpërmjet falsifikimit të kartave të identitetit, ka sjellë reagimin e Zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni, shpjegon arsyet e pamundësisë së fabrikimit të një prej dokumenteve me standardet më të larta botërore, që kanë në duar sot shtetasit shqiptarë. “Ai manipulatori me sy çakalli që del në parlament duhet t’i lërë ato dokumente që të shikojmë nëse jemi në kushtet për të cilat ai flet. Mund të jemi në kushtet e falsifikimit, që njëra është kartë e vërtetë dhe karta tjetër, është karta që ka bërë Gramoz Ruçi. Njëra nga kartat e paraqitura në televizor ka fotografinë hije, tjetra nuk e ka. është e pamundur me të njëjtin status juridik të kesh dy karta. Korrelacioni që bëhet me procesin zgjedhor dhe me listat është absolutisht absurd sepse unë kam pasaportë, por kam edhe kartë, d.m.th.:, kam dy mundësi për të votuar”, u shpreh Poni. Sipas tij, edhe nëse kjo kartë identiteti do të mund të dublifikohej, kjo gjë nuk mund të ndikojë në procesin e votimit. Poni e argumenton këtë fakt se “asnjëherë qytetarët, e kanë humbur s’e kanë humbur, e vodhën s’e vodhën, si kartat e kreditit, të mos rrinë pa dokumentin e tyre të identitetit”. “Nëse ata e kanë humbur i drejtohen kompanisë koncensionare, sepse ajo e ka koncesionin për këtë, të bëjnë një deklaratë që e kanë humbur dhe në këtë moment karta e parë del nga funksioni. Por, karta e parë dhe karta e dytë duhet të kenë të njëjtin numër identiteti. Pra, janë identike në sensin që pasojnë njëra-tjetrën. është e pamundur që unë të përdor të njëjtat shenja gishtash në dy raste të ndryshme, sepse së pari identiteti merret nga regjistri që do të thotë se kontrollohen shenjat e mia të gishtave me të gjitha shenjat e gishtave të mbledhura deri tani nga kompania. Dhe, për çdo dyshim, nis një proces investigimi administrativ”, deklaroi më tej, Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni.
...