E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS miraton sot ndryshimet në Statut dhe Programin politik

Socialistët do të mbajnë sot mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku do të miratojnë dy dokumente shumë të rëndësishme, Statutin dhe Programin. Për të qenë të vlefshme, këto dokumente duhet të miratohen më pas në Kongresin e 5 nëntorit.

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare për të miratuar paketën e ndryshimeve statutore, si dhe programin e saj politik. Kjo përbën fazën e parë të miratimit të tyre, pasi vetëm katër ditë më vonë do të jetë Kongresi ai që do të thotë fjalën e fundit. Pikërisht edhe organizimi i Kongresit dhe përcaktimi i rendit të ditës i tij do të jenë objekt i mbledhjes së sotme të Asamblesë, në të cilën, natyrisht pritet me interes dhe fjala e kryetarit të partisë Edi Rama.

Mbledhja

Pesë do të jenë pikat që do të përmbajë rendi i ditës i mbledhjes së sotme të Asamblesë, e cila do t’i nisë punimet në orën 12:00 tek “Xibraku”, në periferi të Tiranës. Kështu, mbledhja do të nisë si zakonisht me pikë të parë fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili përveç situatës politike, pritet të përqendrohet tek dy dokumentet që do t’i paraqiten për miratim Kongresit, propozimet për ndryshime në Statut dhe Programin politik. Natyrisht, Rama pritet të përcjellë mesazhe politike për linjat kryesore ku dhe do të përqendrohet veprimtaria politike e PS-së në vazhdim. Pikë e dytë do të jetë diskutimi i paketës së propozimeve për ndryshime në Statutin e partisë, i cila në përgjithësi synon përshtatjen e partisë sa më mirë me nevojat elektorale. Paketa përmban disa ndryshime në mënyrën e organizimit të partisë në bazë, ku veç organizatave krijohet dhe posti i koordinatorit elektoral, ndërkohë që mbetet në fuqi mënyra e organizimit të partisë në bazë rrethi. Pika të tjera të kësaj pakete janë dhe ato që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit të kandidatëve për deputetë, ku tashmë kjo e drejtë i kalon Asamblesë dhe jo kryesisë siç është tani. Dy ndryshime të rëndësishme janë dhe ato që kanë të bëjnë me Forumin e Gruas dhe atë të Rinisë, të cilat fitojnë autonominë.

Programi

Pika e tretë e rendit të ditës përmban diskutimin dhe miratimin e projekt-programit politik të kësaj force, të cilin kjo e fundit kërkon ta kthejë në një platformë zhvillimi me të cilën synon të fitojë zgjedhjet e 2013-ës. Për t’i dhënë dorën e fundit materialit, dje pasdite është dashur të mblidhen dhe njëherë disa nga anëtarët e grupit të punës që hartoi këto propozime, çka ka bërë që materiali përfundimtar të çohej vetëm në orët e mbrëmjes për t’u shumëfishuar me qëllim që t’i shpërndahet nesër asamblesë. Deri më tani, nga ajo që ka bërë publike dhe vetë Rama disa ditë më parë, programi prek shtyllat kryesore të ekonomisë së shqiptarëve. Kështu, nëpërmjet tij socialistët kërkojnë të bëjnë një reformë të rëndësishme në sistemin e taksave, ku propozojnë kalimin në një sistem të diferencuar të taksës së sheshtë, ku paguan më shumë ai që fiton më shumë. Gjithashtu trajtohen dhe jepen zgjidhje edhe për fushat e tjera, si shëndetësia, arsimi, bujqësia etj. Pikë e katërt do të jetë përcaktimi i rendit dhe mënyrës së organizimit të Kongresit, dhe pikë e pestë për të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›