Ligjet me 3/5, dështon votimi i tyre në Kuvend
Sërish Kuvendi ka shtyrë votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, ligje për të cilat opozita ka kërkuar rishqyrtimin e tyre në Parlament. Ka qenë kryetarja e Kuvendit, Jozefian Topalli ajo që njoftoi shtyrjen e këtyre ligjeve pas mungesës së konsensusit, për t`u kaluar në Parlament.
Duke folur për këtë çështje kryetarja e Kuvendit tha se Kuvendi do shqyrtojë çdo kërkesë të opozitës, por fillimisht nuk duhet bllokuar integrimi. “Ligjet kërkojnë 84 vota. Integrimi varet nga opizita, ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Maxhoranca ka bërë oferta”, u shpreh ndër të tjera ajo.
Pikërisht për këtë çështje, kanë debatuar krerët e grupeve parlamentare. Ai demokrat, Astrit Patozi dhe kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Ky i fundit, gjatë punimeve të seancës plenare i paraqiti maxhorancës një paketë me 10 pika, për të cilat, duhet të nisin negociatat në tryezë duke filluar nga gjetja e një zgjidhje për krizën politike në vend, si një kërkesë e Brukselit dhe diskutimi i draftit të opozitës për ndryshimet në rregullore.“Në këtë paketë janë rekomandimet që ka bërë BE. Nëse ju vazhdoni të mos ta dëgjoni, atëherë nuk është faji ynë, është përgjegjësia juaj”, nënvizoi Ruçi.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar demokrat tha se bojkoti parlamentar dhe qëndrimi që po mban opozita në raport me ligjet, do të faturojë edhe qëndrimin që pritet të mbajnë vendet e Bashkimit Evropian, për statusin kandidat të Shqipërisë. Kreu i grupit të demokratëve, deklaroi se maxhoranca nuk bën pazar me çështjen e integrimit, dhe akuzoi opozitën se po bëhet pengesë duke bllokuar reformat. Ndërkaq në fillim të seancës plenare kuvendi miratoi me votat e deputetëve të mazhorancës kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit. Në draft kalendarin e këtyre punimeve është parashikuar të ngrihet edhe Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Në këtë komision parashikohet të përcaktohen detyrat, numri dhe përbërja e komisionit.