Ligjet me 3/5, opozita i rikthehet bllokimit të Kuvendit, debate në komisionin e ligjeve

Komisioni i ligjeve ka nisur sot me debate mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku parashikohet miratimi i 3 ligjeve me shumicë të cilësuar. Në nisje të mbledhjes së sotme, deputetët e opozitës janë shprehur kundër shqyrtimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat, sikundër edhe në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar më shumë kohë. Deputeti Fatmir Xhafaj deklaroi se në të mirë të reformave është kërkuar më shumë kohë për liget që kërkojnë 3/5 e votave, por një kërkesë e tillë u quajt si e papranueshme nga mazhoranca. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka theksuar se koha e shqyrtimit të ligjeve me 3/5 parashikohet në kalendar dhe nuk mund të akordohet një kohë e pacaktuar për projektligjet.
Në Konferencën e Kryetarëve opozita nuk miratoi kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, ndërkohë që në të u përfshinë ligjet me 3/5 e votave pa konsensusin e saj.