Ligjet me 3/5, sot dorëzohet propozimi i PS-së
TIRANË- Axhenda specifike e PS-së për ligjet me shumicë të cilësuar votash pritet të dorëzohet sot në Komisionin e Ligjeve. Në mbledhjen e këtij komisioni deputetet e PS-së, njoftuan se brenda ditës do të dorëzohet edhe propozimi konkret për gjithë ligjet që kërkojnë tre të pestat.
Dorëzimi pritet të bëhet nga nënkryetari i këtij komisioni, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Vetëm një ditë më parë, kreu i PS-së, Edi Rama i kërkoi deputetëve socialistë të Komisionit të Ligjeve që, në kuadër edhe të paktit prej 10 pikash Për Shqipërinë si gjithë Europa, të përcaktohen afate për të gjitha çështjet që janë futur në rendin e ditës.
Për javën parlamentare që fillon dua ti propozoj Komisionit tonë të Ligjeve, sipas pikës përkatëse të paktit tonë me dhjetë pika, një hap të ri për nxitjen e procesit legjislativ lidhur me projektet që kërkojnë tre të pestat e votave. Të dorëzojmë pa humbur asnjë minutë, në Kuvend, një axhendë të specifikuar pune për Komisionin Parlamentar të Ligjeve me një rend çështjesh e afatesh, ashtu siç e kemi propozuar në parim, por këtë herë në detaj. Për të mos i lënë më as edhe një mundësi palës tjetër që tu ikë përgjegjësive të veta, për këtë aspekt të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe ti bishtnojë paktit që ne kemi ofruar Për Shqipërinë si gjithë Europa, dhe jo për një pazar me ta, u shpreh dje Rama.
Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën se në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes së Grupit, deputeti i PS, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka kërkuar një koordinim të të gjithë deputetëve socialistë në komisionet parlamentare lidhur me ligjet me tre të pestat. Në të njëjtën kohë, burimet bëjnë të ditur se Xhafaj dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, janë duke punuar për planin e punës mbi të cilin do të diskutohen edhe ligjet me shumicë të cilësuar.