Berisha: Ti zëvendësojmë shkurret me lajthi e pjergulla, ta bëjmë Shqipërinë plantacion
Shqipëria është një Kaliforni e vogël në raport me arrorët. Ato rriten në çdo km katror të këtij vendi, nga Konsipoli në Vermosh. Ne duhet të bëjmë gjithçka për nxjerrjen e vlerave nga çdo metër katror e kësaj toke, tha sot kryeministri Berisha në një takim me grupin Task Force për projektin e arrorëve.
Duke u ndalur në këtë projekt, Berisha tha se dy janë aspektet që ndikojnë pozitivisht në përmbushjen e tij mbeten infrastruktura dhe bashkëpunimi me autoritetet vendore.
Cila është vlera e gështenjave të Tropojës pa infrastrukturën? Tani ne po ndërtojmë një infrastrukturë model, po shkurtojmë distancat. Sot nga Bushtrica e bregut të Drinit, në Tiranë vjen për dy orë. Shqipëria është tjetër dhe ne duhet të rendim pas këtij realiteti, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, pasioni për arrorët po rritet tek fermerët, por janë pikërisht drejtuesit vendorë ata që do të garantojnë suksesin e projektit. Qeveria është e vendosur të rrisë financimet për ta. Këtë vit dyfishuam fondin, vitin tjetër do ta rrisim. Në tërësi ky projekt i madh përballohet me gjysmë miliardi euro. Ne nuk do të ngurrojmë ta mbështesim dhe ta financojmë. Por kemi një problem: qeveria ka politikat, fondet dhe ekspertizat, por zotërit e tokës janë qeveritarët vendorë. Ne nuk mund ta zbatojmë projektin me pushtetin dhe fuqinë tonë. Ai do të bëhet realitet vetëm kur ta shndërrojmë në axhendë zhvillimi të politikave të autoriteteve vendore. Duhet një transformim konceptual i tërë. Çfarë do të ndodhte nëse gardhet do të ishin gardhe me lajthi dhe pjergulla, kur në të vërtetë janë me ferra? Të gjitha shkurret e vendit do të zëvendësoheshin me to. Autoritetet vendore janë ato që do përcaktojnë format se si aty ku janë shelgjet, të mbillen lajthi apo arra, theksoi Berisha.
Ne duhet ta imagjinojmë Shqipërinë plantacion. Në tërësi frutat dhe arrorët janë mbjellë pak, fermerët skanë patur treg, skanë pasur përpunim. Ajo çka unë dua tu them ju është se fermeri me pasionin dhe vullnetin e tij është përpara nesh, iu drejtua Berisha të pranishmëve.