E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǒgallatë...!



Nuk ishte e nevojshme që prezantimin e parë me t’u ngjitur në skenë për të ndarë çmimet e TIFF (Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë), Adi Krasta ta kthente në “një nder” personal, se njihte ideatorin e festivalit bashkë me të shoqen, që e ka pasur studenten më të mirë, që e kishte vlerësuar dhjetë me yll. Që këtu, “gjithë nderi” iu kthye në bumerang Krastës derisa në një pikë iu desh të shkrinte gjithë cinizmin e tij (me të drejtë, dhe s’kishte mënyrë tjetër për ta hequr nga vetja diskriminimin) duke thënë se sikur organizatorët e TIFF t’i çonin gjithë policinë në shtëpi, dhe sikur Edi Rama t’i ndërsente gjithë qentë e rrugës për ta risjellë sërish në një mbrëmje të madhe në prezantimin e çmimeve të mëdha për kinemanë – ai kurrë nuk do të pranonte më.

Përballë tij në sallën e Teatrit Kombëtar regjisorë, aktorë të huaj e shqiptarë, studentë të Akademisë së Arteve, media me shumicë qeshnin si në një spektakël të zakonshëm. Në fakt çehrja që duhet të marrin evente të tilla padyshim kërkojnë klasin, seriozitetin, se fundja është një prezantim të tillësh, pjesa më elitare e kinemasë. Nuk është një studio televizioni ku duhet të monitorosh duartrokitjet e publikut, që paguhet me nga 5 mijë lekë. Por në shtatë edicionet e TIFF, pa asnjë përjashtim, nuk qenka e thënë që të shohim një paraqitje dinjitoze të kupave të kinemasë. Asnjëherë nuk ka pasur shkëlqimin që i jep “tapeti i kuq” kësaj mbrëmjeje. Edhe Krasta pati vetëm një “incident” në këtë mbrëmje, që u gjend aty, që zbehu një mbrëmje që duhet të ishte për yjet, por dhe yje nuk kishte. Krejt ndryshe nga fillimi i mbrëmjes, më saktë pak sekonda pas daljes në skenë, Krasta do të ishte dëshpërimisht drejtuesi më fatal. Atëherë çfarë i mbetej të bënte; vetëm gallatë! Kaq rëndomë e thanë të rinjtë, dhe aktorët që dilnin në fund të mbrëmjes duke shkelur mbi “tapetin e kuq” të bërë zhul për dhjetë ditë.

Pra, Krasta u gjend aty për të bërë gallatë! Vetë prezantuesi nuk do ta kishte menduar fare këtë, por ja që e përdori gjithë arsenalin e tij për ta shndërruar “festën” e kinemasë në një mbrëmje groteske, ku padyshim i shushatur nga kënaqësia ishte edhe Teodor Laço që nxitoi ta vlerësonte Krastën në kulm të sikletit të tij; se ai e bëri filmin sakaq me publikun (kujtojmë publiku ishte me aktorë, regjisorë, njerëz të kinemasë).

Krasta nuk ndryshoi aspak nga kuadrati i vogël i shtëpive, ku shohin spektaklin e çdo të diele të tij. Ndërsa i gjendur ngushtë që nuk dinte emrat, që i ngatërronin vajzat e zarfit nëpër këmbë, që herë e kthente kokën në një anë dhe skena komike e çonin adrenalinën e publikut, sidomos adhuruesve të tij; se sa i madh është Krasta. Sa herë sillte dozën e injorimit, cinizmit, pakënaqësisë personale pse një festival i tillë nuk ka marrë asnjë masa për të qenë më dinjitoz, salla gërthiste; “Bravo Krasta”.

U harrua protagonizmi i çmimeve, i mbrëmjes më servile të parë ndonjëherë politikisht - ato vetëm sa u thanë me emra sepse të gjithë ishin kthyer në shtëpi si serbët, si rusët, si grekët, si spanjollët (përjashto prezencën pambarim, gati groteske, të ambasadorit spanjoll) ashtu dhe francezët - që ishin nderuar të gjithë me çmime nga juria “ndërkombëtare” e TIFF në Shqipëri. Madje dhe vetë anëtarët e jurisë do thoshin; si nuk u bëmë asnjëherë tri veta bashkë.

“Bravo Krasta” - sepse shpëtoi një mbrëmje nga dështimi, por gjithsesi vetë Krasta po tregonte dështimin. Ankesat e tij, hutimi i tij dhe i të gjithëve që ngjiteshin në skenë sa për të bërë “qokën” e emrit që përmendej, nuk kishin të bënin as me fustanin e kuq bordo që kishin ekspozuar, veshur, dy vajzat që i tallte Krasta, sa herë zarfi me emrat vonohej, as në momentet kur ngatërroheshin vetë thirrësit e fituesve nëpër rreshta. Nuk ishte ky problemi më i madh. Por është serioziteti, mungesa absolute e një përvoje, e një kulture pak më të lartë se spektaklet e thjeshta televizive, apo në Pallat të Kongreseve, apo në një auditor koefident me njerëz të kulturës. Ishte pak mbi të gjitha kjo mbrëmja e çmimeve të kinemasë, e një festivali të madh të filmit – ku u ndoqën mbi 100 filma, ku erdhën mbi 50 njerëz të kinemasë nga vende të ndryshme, përfshi këtu edhe vizitat e rralla të personaliteteve të huaja në Tiranë. Mbrëmje të tilla duan mondanitet nga të gjithë - dhe jo të vishesh sportiv, e të sillesh po aq sportiv.

Këtu ndahen nivelet dhe jeta nga rruga - ndonëse shqiptaret dhe në baltë ecin me skarpina, dhe në mëngjese e drekë veshin minifund, e copa shkëlqyese. Kërkohet një mbrëmje në Tiranë që të jetë larg bufatorisë, groteskut, sarkazmës, që shpesh konfondohen dhe me politikën. Shpirtërisht arti ende nuk di të marrë vlerësim, nuk di të nxisë publikun drejt tij - ashtu siç ndodh në mënyrën me klasike, prej nga zhvillohet intelektualisht. Ndoshta Krasta këtë nuk e ka menduar dhe nxitimthi ka pranuar dhe ofertën e organizatorëve të TIFF. Se ndryshe ai vetë do kishte më ambicie në prezantimin e tij, përveçse veshjes shik. Do ua mblidhte rripat organizatorëve se nuk do ishte një prezantues “kukull” që i thonë vrapo “Cuk”. Në një realitet si yni ku miq e të njohur shpesh bëhen dështimi ynë, është e vështirë të mbërrish në mbrëmje shkëlqimi, e të shkëlqesh, siç do të donim të shihnim të paktën një herë të vetme nga TIFF - edhe për faktin, pse e prezantoi Krasta. Dhe njerëzit e kinemasë të mos dalin në fund e të thonë prapë, tepër rëndom: “Eh ç’gallatë!”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›