E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Dhjetor, të gjithë ishim dhe do të jemi atje



Sot në 8 dhjetor, të gjithë ne ndihemi krenarë që Shqipëria, një vend me territor dhe popullsi të vogël, ka skalitur në historinë moderne të Evropës, datën e rrëzimit të Murit të saj të Berlinit.

Shumë mure tentuan shqiptarët të rrëzonin gjatë diktaturës me revolta të lavdishme historike, si ajo e Postribës, Kelmendit, ish-të burgosurit politikë me revoltën e Spaçit e shumë e shumë të tjera, por 8 Dhjetori i 1990-s do të hyjë në histori si dita e fillimit të madh, e fillimit të zgjimit të shqiptarëve nga letargjia e tmerrshme 46-vjeçare.

8 Dhjetori është një ditë sublime që na bën ne shqiptarëve të meditojmë dhe të sjellim të freskët kujtesën tonë historike, për një regjim totalitar, ndër më të egrit e njerëzimit, aspak më i butë se mizoritë dhe gjenocidet e Stalinit, Hitlerit, Fidel Kastros, Pinoçetit, kmerëve, Pol Potit, Rafael Trujillo në Republikën Dominikane dhe shumë figurave të urryera të diktatorëve në çdo cep të botës.

Në 8 Dhjetor të gjithë ne ishim atje, edhe pse të mitur, prindërit tanë, gjyshërit, vrapuan drejt sheshit të studentëve, në tempullin e idealeve për liri e demokraci.

Çdokush prej nesh rendi drejt erës së ngrohtë të lirisë, drejt ëndrrës, drejt ndryshimit të madh aq të dëshiruar prej shqiptarëve.

Në 8 Dhjetor të rinjtë, studentët, çdo shqiptar, fëmijë e i rritur, liruan prangat e ndërgjegjes, hapën kufijtë e një mentaliteti të mbyllur dhe të doktrinuar në mënyrën më të paskrupullt nga çdo strukturë e Partia Komuniste në pushtet dhe Sigurimit të Shtetit.

Sot, afro çerek shekulli më pas, shqiptarët nuk mund të fshijnë nga kujtesa e trurit të tyre vitet më me vuajtje, persekutim skamje, prapambetje, izolim me gjemba, depersonalizimi dhe diskriminimi për individin dhe për gjithë shoqërinë në tërë historinë e tyre, pse jo edhe qysh në kohën e paraardhësve tanë, ilirëve.

Asnjë datë tjetër në historinë moderne të Shqipërisë nuk bashkoi e vëllazëroi aq shumë shqiptarët brenda një dite, në të njëjtin vend, myslimanë e katolikë, ortodoksë e laikë, intelektualë, elitë e njerëz të thjeshtë. Thirrja ishte vetëm një: Të rrëzojmë diktaturën komuniste të Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij, një mallkim biblik për shqiptarët, të kthejmë realitet ëndrrën tonë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Sot, 19 vjet më pas, ne do të mblidhemi sërish si çdo vit, në respekt të idealit që paraardhësit tanë, brezat më përpara na lanë amanet ta çojmë deri në fund, lirinë.

Asgjë më e shtrenjtë dhe e shenjtë se liria mund të bashkojë të gjithë shqiptarët, në nderim të besimit dhe idealit të rilindasve, në nderim e respekt të penës e mendjes së hollë të elitës së viteve ‘30, gjakut të të rënëve për liri e demokraci në luftë, vuajtjeve, shqiptarëve që u persekutuan në kalvare pa fund, të vrarëve pa gjyq e me gjyq “në emër të popullit” nga barbarët komunistë, në nderim të thellë, heronjve të demokracisë, Azemit me idealistët e tjerë, ne sot u betohemi: Do të jemi të gjithë në shesh në çdo 8 dhjetor, sepse të rinjtë rrëzuan muret, të rinjtë janë e tashmja, të rinjtë do të jenë e ardhmja e një Shqipërie evropiane.

Të gjithë shqiptarëve që s’arritën dot lirinë, ne të rinjtë u themi sot nga zemra e Tiranës, nga sheshi i heroit tonë kombëtar, Skënderbeu: Prehuni në paqe, ëndrra juaj u bë realiteti ynë. Shqipëria sot në NATO dhe nesër në BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›