“Ligji çek me atë shqiptar kanë ndryshime të dukshme”
Adam Pinos, zv/ambasador i Çekisë në Tiranë, flet për “Vizion Plus”
Në kulmin e debatit në Shqipëri për dosjet, thuhet që kemi marrë modelin çek. A mund të na thoni se cila është kjo përvojë?
Ligji çek për lustracionin e figurave u vendos dy vjet pas përmbysjes së regjimit në Çeki. Ndodhi pikërisht në tetor të vitit 1991, pas diskutimeve të gjata dhe të komplikuara. Ligji ishte shumë kontrovers dhe mund të themi që gjatë miratimit të ligjit në parlament kishte një konsensus të vërtetë. Në vitin 1991 akoma ekzistonte Republika e Çekosllovakisë. Interesant është se menjëherë pas ndarjes së Çekosllovakisë, kur në Çeki ky ligj nisi të funksiononte, në Sllovaki u anulua në një kohë shumë të shpejtë.
Pse u anulua ligji në Sllovaki atëherë?
Duhet të pyesni politikanët sllovakë, që atëherë ishin në fuqi ose deputetët sllovakë që e anuluan këtë ligj.
ǒpërmbante ligji dhe cilat kategori përfshinte?
Ligji i lustracionit në Çeki përmbante vendosjen e disa kushteve për ekzekutimin e funksioneve në organet shtetërore. Në mënyrë të veçantë për të gjithë punonjësit e aparatit shtetëror, për pjesëtarët e ushtrisë çeke, për pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit dhe për përfaqësuesit e medias shtetërore, të televizionit dhe të radios, madje veçanërisht për kompanitë shtetërore apo ato ku shteti çek zotëronte shumicën e aksioneve. Ky ligj kishte të bënte vetëm me ata persona që kishin funksione të larta. Në qoftë se ndonjë person ishte punonjës i aparatit shtetëror, por nuk kishte post drejtues, ai mund të vazhdonte të punonte në këtë institucion. Qëllimi kryesor i ligjit ishte të pastronte institucionet shtetërore nga personat që ishin në krye të aparatit komunist të asaj kohe.
A ishin të përfshirë gjykatësit dhe prokurorët?
Ky ligj kishte të bënte me gjithë punonjësit e aparatit shtetëror, përfshinte edhe prokurorët që sot quhen përfaqësuesit e akuzës së shtetit. Njëkohësisht kishte të bënte edhe me gjykatësit. Informacionet që përcolli media shqiptare që në Çeki gjykatësit dhe prokurorët nuk ishin përfshirë te ky ligj, nuk janë të vërteta. Artikulli i parë i këtij ligji në mënyrë të qartë thotë se, dhe gjykatësit, dhe prokurorët përfshihen te ky ligj.
Në ç’masë përfshihen, u nxorën jashtë apo s’u lanë në poste drejtuese?
Për sa i përket prokurorëve, nëse ata prekeshin nga ligji i lustracionit, atëherë ata pushoheshin nga puna. Te gjykatësit procedura ishte tjetër, por rezultati ishte i njëjtë.
Po sekretarët e partisë a i preku ky ligj?
Deri tani kam përmendur ato kategori, të cilat, sipas ligjit të lustracionit, duhet të ishin të pastra. Megjithatë, le të përmendim se ky ligj për punonjësit e tjerë ishte pozitiv, d.m.th., i prekte: përmend këtu bashkëpunëtorët e afërt të Sigurimit të regjimit të asaj kohe, pastaj ata që ishin në nivelin e mesëm, të lartë dhe më të lartë në hierarkinë komuniste, nga sekretarët e partive lokale dhe deri tek organet më të larta të kësaj Partie Komuniste. Në qoftë se këta persona kërkonin një vërtetim, sipas ligjit të lustracionit për këta persona, përgjigjja ishte pozitive. Për këta persona nuk do të thoshte fundi i karrierës plotësisht, se ata mund të punonin në sektorin privat.
Po në funksionet partiake deri në ç’nivel arriti?
Nivelet më të ulëta të sistemit të atëhershëm nuk u preken nga ky ligj. Kjo përfshin sekretarët lokalë të Partisë Komuniste. Për këta persona në nivele të ulëta do të thoshte që as karriera në organet shtetërore nuk përfundoi, si për shembull, pastrimi, sipas ligjit të lustracionit, nuk e ndalonte zgjedhjen në parlament. Prandaj disa nga këta persona ishin në krye të listave për zgjedhjet në parlament dhe pavarësisht se ishin të prekur nga ligji i lustracionit, ata mund të bëheshin deputetë.
Sa vetë preku ky ligj në vitin 1991?
Nuk mund ta them sa njerëz ishin, se nuk mund ta shpreh tamam se ç’do të thotë të jesh i prekur nga ky ligj. Mund t’ju them me saktësi sesa certifikata dolën që nga viti ‘91 në zbatim të këtij ligji. Numri ishte mjaft i lartë, 420 mijë copë. Theksoj që Republika e Çekisë kishte 15 milionë banorë, ndërsa ajo sllovake 10 milionë. Nuk mund të them se cila pjesë ishte pozitivisht e prekur nga ligji.
Pse u ribë ligji?
Mendoj se kemi folur për këtë pikë. Kryesore ishte që të pastronte aparatin shtetëror nga njerëz që atëherë kishin kërcënuar njerëzit e thjeshtë.
Flas për pjesën e dytë. Çfarë u shtua apo u ndryshua?
Është e vërtetë kjo që thoni. Njëri ligj u miratua në tetorin e ‘91, ai me numër 451, pastaj ligji tjetër një vit më vonë, në ’92, e zgjeroi më shumë efektin e këtij ligji. Ky ligj i dytë, i ashtuquajtur ligji i vogël i lustracionit, kishte të bënte me çështje teknike, me specialistët që ishin përfshirë në këtë ligj. Ndoshta parlamenti i atëhershëm mund ta kishte zgjidhur shumë mirë me miratimin e ligjit të vjetër, nuk e kuptoj pse u bë një i ri d.m.th. Nuk kishte një ndryshim rrënjësor me të parin e vitit ‘91.
I gjithë ky proces ishte në sy të publikut?
Kishte të bënte shumë me orientimin e tyre politik. Sigurisht, ata njerëz që kishin një lidhje me regjimin komunist, nuk ishin entuziastë nga ky ligj. E njëjta gjë vlen edhe për familjet e tyre ose të afërmit e tyre, që nuk e shikonin me shumë kënaqësi.
E megjithatë kjo u bë publike apo jo?
Patjetër ky ligj u bë publik. Por certifikatat konkrete të këtij ligji arritën në duart e atyre personave që ishin pozitivisht të prekur. Kjo do të thotë që shumë persona, që ishin në pozicione drejtuese, u larguan. Kjo nuk i pengoi këta njerëz që ta bënin publike këtë gjë.
Krahasuar me ligjin shqiptar, ligji çek a është i njëjtë me të?
Mes këtyre projekteve shoh ndryshime të dukshme. Ligji shqiptar u inspirua nga ai çek, por në asnjë mënyrë nuk është i njëjtë.
Me një sy të shpejtë, ku janë diferencat thelbësore?
Unë e kam lexuar ligjin shqiptar shpejt, por dy ndryshime më bënë përshtypje. Ajo që më bëri përshtypje së pari është se projektligji shqiptar prek edhe deputetët e parlamentit. Veç kësaj, gjëja tjetër që përbën dallimin është ngritja e komisioneve partiake që do të merreshin me ligjin e lustracionit. Ligji çek komisione të tilla nuk ka njohur.