E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Nuk do të lejojmë prekjen e lirisë së fjalës

Nga Tema

Të ndjeshëm e të vetëdijshëm se sulmet e fundit të qeverisë ndaj gazetës “TemA”, synojnë më shumë sesa goditjen e një medieje, përfaqësues të ambasadës amerikane mbërritën dje në ambientet e redaksisë së gazetës për t’u njohur më në thelb me problemin që rrezikon të mbjellë frikë ndër një armatë të tërë gazetarësh, reporterësh e studentësh gazetarie që synojnë të rreshtohen në këtë zanat, në pozicionin natyral të tij, atë të të bërit opozitë. Por dhe i bindur se një frikë e tillë mund të përçohet në shoqëri, këshilltari i Shtypit i ambasadës amerikane, Bix Aliu, tha dje në redaksinë e gazetës “TemA” se SHBA nuk do lejojë prekjen e lirisë së fjalës.

Disa çaste pasi në redaksi kishte mbërritur urdhri i prerë që kërkon lirimin e ambienteve për shkak se godina tani e tutje do të quhet godinë e sigurisë së lartë, edhe pse aty do operojnë dhe të tjera kompani, këshilltari i shtypit i ambasadës amerikane tha se nuk e kupton arsyen pse duhet të ndodhë kjo.

“Ne e kemi ndjekur me kujdes atë që po ndodh me gazetën “TemA”. Kemi mësuar për vendimin e qeverisë për ta larguar atë nga kjo godinë dhe unë nuk e kuptoj arsyen. Erdhëm për ta parë redaksinë dhe vendin nga afër, si dhe për të folur me drejtuesin e saj, zotin Mero Baze, për këtë çështje. Liria e fjalës është një nga shqetësimet tona. Ne kemi folur qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë folur gjithashtu qartë dhe e kanë thënë disa herë, dhe unë po e përsëris që nuk do të lejojmë prekjen e lirisë së fjalës, mendimit apo çdo formë tjetër lirie. Nëse ndodh një tentativë sado e vogël për të prekur lirinë e fjalës, ne nuk do të qëndrojmë indiferentë, por do ta ngremë zërin ndaj kujtdo që tenton të bëjë diçka të tillë”, - tha Aliu, pasi inspektoi të gjitha ambientet dhe pa se vendi ku ndodhet shoqëria “Mediasoft”, e cila boton gazetën “TemA” dhe ka në pronësi të saj një shtypshkronjë, nuk ka asnjë lidhje me vendin ku do bëhen kartat e identitetit. E kjo duket qartë që në hyrje nga rruga kryesore, ku të dy ambientet ndahen nga mure të larta betoni dhe kanë rrugë dhe porta krejt të ndara. Në mes të tyre ndodhet një hapësirë e madhe, në të cilën është vendosur një tjetër subjekt, shtypshkronja për letrat me vlerë, e cila, sipas qeverisë, nuk rrezikon sigurinë e dokumenteve të identitetit.

Më pas Aliu pa ambientet ku është vendosur shtypshkronja e “Mediasoft”, një investim prej gati gjysmë milioni dollarësh, e që rrezikon të shkatërrohet nga hakmarrja e qeverisë.

Drejtori i gazetës “TemA” sqaroi sërish dje se kjo është një hakmarrje politike. Ai tha se ky është dhe një sinjal negativ për të gjithë bizneset në Shqipëri dhe një shembull se si bëhet biznes në vendin tonë. Baze tha se janë bërë investimet që burojnë nga kontrata, duke nisur nga ambientet moderne të redaksisë e duke vijuar te shtypshkronja, nga më të mirat në vend, e montuar dhe në një hapësirë brenda të gjitha standardeve të një vendi evropian.

Tashmë, në rrugën e vështirë për të mbajtur gjallë frymën e të bërit opozitë, “TemA” ka dhe një aleat, vendin e demokracisë më të madhe në botë. Ndryshe nga retorika e kryeministrit, i cili në çdo deklaratë e quan median që shkruan për afera korruptive si media të opozitës, termi opozitë për ne është më i gjerë. Dhe nuk është fyerje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›