Viti i mediave investiguese të aferave në instiutcione dhe politikë
Është kënaqësi të takohemi në këtë fund viti, për t’ju përgëzuar për punën tuaj të jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. Tashmë është e qartë që jeni ju (gazetarët) avokatët më të mirë të qytetarëve duke na përcjellë të gjithëve ne shqetësimet e sensibilitetet e tyre.
Zakonisht në çdo fund viti bëhen bilance mbi punën e bërë përgjatë dymbëdhjetë muajve. Dhe duhet pranuar se bilanci juaj është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit. Jo pak herë institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve tuaja, edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur.
Keni një mision, sa të rëndësishëm, aq edhe delikat, i cili nuk duhet të influencohet aspak nga interesa të kujtdo qofshin dhe besoj se edhe konkluzionet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë, si nga mediat, ashtu edhe nga politika e biznesi.
Liria e medias, edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demagogji. Është në radhë të parë respekt për punën e një armate të tërë gazetarësh, por edhe korrektesë, etikë e përgjegjshmëri nga ana e tyre. Do doja t’ju falënderoja për rrugëtimin që kemi bërë së bashku gjatë këtij viti të mbushur me debate e ngjarje të rëndësishme për vendin! Ju siguroj se institucioni i Presidentit do vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe vitin e ardhshëm, i cili gjithashtu ka mjaft momente të rëndësishme për vendin tonë. Dhe pjesë e arritjeve të Shqipërisë, padyshim që jeni të gjithë ju.
*Botohet me shkurtime
Fjala e mbajtur dje në takimin me përfaqësues të medias me rastin e Vitit të Ri 2009