E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëri i Amerikës: Qeveria rrezikon të mbyllë gazetën “TemA

Nga Ilirjan Agolli, VOA

Në Tiranë, gazeta “TemA”, një nga gazetat e njohura për denoncimin e korrupsionit të qeveritarëve, rrezikon të mbyllet, për shkak të prishjes së njëanshme nga Ministria e Ekonomisë së kontratës 20-vjeçare për mjediset e shtypshkronjës së saj. Drejtuesit e gazetës “TemA” pohojnë se kanë investuar sipas kontratës rreth 450 mijë euro në mjedisin e marrë me qira, dhe prishja e njëanshme e kontratës është e padrejtë, dhe ka veçse motive politike, që lidhen me qëndrimet editoriale të kësaj gazete

Në marrëdhëniet e vështira të qeverisë Berisha me mediat vendore u shtua papritur dhe një përplasje e re e saj me shtypin e shkruar. Qeveria ka vendosur të shpallë objekt të rëndësisë së veçantë ish-Tipografinë Ushtarake, ku do të prodhohen kartat e reja të identitetit. Po ky vendim solli dhe mbylljen e shtypshkronjës private ku prodhohet dhe gazeta “TemA”. Shoqatat e gazetarëve protestuan ndaj këtij vendimi në mbrojtje të gazetës, duke e konsideruar këtë si një goditje ndaj medias së lirë dhe një hakmarrje ndaj gazetës “TemA” që ka zbuluar një seri skandalesh korrupsioni të qeveritarëve. Themeluesi dhe drejtuesi i gazetës “TemA”, Mero Baze, deklaroi, duke na treguar mjediset e punës ku prodhohet gazeta “TemA”, se ky është një sinjal tepër negativ për biznesmenët që duan të investojnë në Shqipëri. Zoti Baze thotë se ky është një precedent negativ për këdo tjetër që ftohet të investojë në Shqipëri, pasi qeveria ka dhënë sinjale dhe provën se mund të prishë në mënyrë të papritur çdo kontratë me ta.

“Duhet ta shikojmë në dy plane, nëse e shikojmë në planin politik, sigurisht që kjo është një gjë shumë e rëndë, se ka të bëjë me një qëndrim dhe hakmarrje personale ndaj një gazete, e cila ka ngritur së paku tri çështje shumë të rënda për imazhin e qeverisë dhe kryeministrit. Është gazeta, e cila ka investiguar e para dhe në mënyrë të menjëhershme problemin e tragjedisë së Gërdecit dhe çështjen e sekserit boshnjak, Damir Fazlliç, është gazeta, e cila ka detajuar të gjitha shkeljet financiare në rrugën Rrëshen- Kalimash, tri çështje, të cilat rëndojnë në qafën e saj kësaj qeverie përpara zgjedhjeve. Por, problemi politik është problemi i parë që ka kryeministri. Problemi më i madh është problemi jopolitik, në rast se këtë e zhveshim nga politika, është dhe më i rëndë, për shkak se kjo është një shenjë alarmi për të gjithë biznesmenët e huaj dhe ata vendas që duan të investojnë në Shqipëri dhe të cilët duan të kenë partner shtetin shqiptar, për shkak se gjenden përpara një shteti burracak, i cili mund të ndërpresë në mënyrë të njëanshme kontratën dhe të hedhë në erë investimet e tyre. Një investitor mund të marrë kredi për ta blerë këtë makineri, sepse kushton 300 mijë euro, vetëm kjo makineri, makineria tjetër kushton 150 mijë euro, e gjithë infrastruktura kushton 150 mijë euro të tjera, pra janë shumë pará, për të cilat një biznes duhet të hyjë në kredi me garancinë se me shtetin ka një kontratë për 20 vitet e ardhshme, dhe shteti e lë në baltë vitin e parë të aktivitetit. Ky është një alarm shumë i madh për investitorët, të cilët duan të investojnë në Shqipëri dhe ky është shembulli më i keq që jep qeveria kundër biznesit në Shqipëri, dhe kundër kryerjes së biznesit”, - thotë Baze.

Gazeta “TemA” ishte e para që zbuloi skandalin dhe korrupsionin në armatimet e Gërdecit, dhe në disa privatizime të dyshimta në sektorë të ndryshëm, si në Korporatën Elektroenergjitike, tenderat në ISKSH apo ato në ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash. Drejtuesi i gazetës “TemA”, Mero Baze, thotë se është pikërisht denoncimi i korrupsionit të qeveritarëve shqiptarë ai që ka sjellë dhe vendimin për të bllokuar punën në shtypshkronjën ku prodhohet gazeta “TemA”.

“Kjo është gjendja e kapanoneve, të cilat ne kemi marrë, kjo është pjesa e dytë e këtij reparti që ne kemi marrë dhe e kemi transformuar tërësisht. Siç e shikoni, ka qenë në gjendje thuajse të mjerueshme fabrika, e cila kishte falimentuar prej kohësh dhe s’kishte më jetë. Ne kemi investuar për ta kthyer në gjendjen që është dhe kemi bërë, besoj, një punë të lavdërueshme, dhe ky është bilanci i një biznesi, i cili investon në një vend të pasigurt”, - thotë Baze.

Gazeta “TemA” ka marrë një vit më parë me qira për 20 vjet një mjedis, të cilin e ka rindërtuar tërësisht dhe ka vendosur aty dhe një shtypshkronjë moderne. Mjediset e mëparshme ishin në një gjendje tepër të mjerueshme. Pranë saj janë ngritur më vonë edhe tri shtypshkronja të tjera, midis të cilave edhe ajo firmës “Sagem”, e cila do të prodhojë kartat e identitetit.

“Gazeta “TemA” gjendet këtu. Kompania “Sagem” ke derën e saj dhe gjendet këtu. Midis kompanisë “Sagem” dhe gazetës “TemA”, po ndërtohet shtypshkronja e re e letrave me vlerë, siç e patë dhe ju, që është një repart shumë i madh midis dy kompanive ku do të ketë shumë punëtorë, njësoj siç është gazeta “TemA”, ndërsa ambientet e tjera do i përkasin ish-Tipografisë Ushtarake, e cila po ashtu ka një numër të konsiderueshëm punonjësish”.

Përfaqësuesit e gazetës “TemA” kanë deklaruar se ata do të hedhin poshtë me anë të një studioje të posaçme avokature pretendimet e qeverisë dhe prishjen në mënyrë të njëanshme të kontratës me qeverinë shqiptare për këto mjedise ku ata punojnë. Sepse arsyet, për të cilat kjo kontratë prishet në mënyrë të njëanshme, sipas tyre, nuk qëndrojnë. Përveç kësaj çmontimi i shtypshkronjës së re dhe lëvizja e saj në një mjedis tjetër kërkon një operacion mjaft të vështirë dhe të gjatë deri në gjashtë muaj dhe do të shoqërohej me një goditje të rëndë në financat e gazetës dhe do të rrezikonte mbylljen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›