E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Plehrave, Rama: Saliu po na trajton si popull budalla

Pas rrëzimit të Dekretit të Presidentit për rishikimin e ligjit për riciklimin e plehrave nga Kuvendi, reagoi në faqen e tij të Twitter kryetari i PS-së Edi Rama.

Nëpërmjet një mesazhi në faqen e tij Rama shprehet se, Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla.

Ndërkohë që gjatë diskutimit të dekretit në Kuvend Kryeministri deklaroi se pas refuzimit të socialistëve për miratimin e këtij ligji, fshihen interesa mafioze. Ai theksoi se opozita po lufton kundër qeverisë.

************

Importi i plehrave, protestë para dyerve të Kuvendit

Qindra qytetarë dhe përfaqësues të shoqërise civile janë vendosur para parlamentit për të kundërshtuar projektligjin për importin e mbetjeve. Ndërsa deputetet diskutonin në kuvend pro dhe kundër ligjit, përfaqësuesit e shoqërise civile kanë sjellë argumenta përse nuk e duan këtë ligj.

Kemi marrë vesh nga burime jozyrtare, që në Itali është bërë gati ngarkesa e parë me plehra për tu dërguar në Shqipëri. Tu themi jo plehrave, tu themi jo importit të kancerit, deklaroi përfaqësuesja e shoqërisë civile, Kozara Kati.

Një tjetër qytetare, shtoi: Unë jam nga Viçidoli, jam një bashkëfshatare e Kryeministrit Berisha. Kam ardhur këtu për të kërkuar para parlamentit që të mos aprovohet ky ligj shkatërrues. Kam ardhur që tI bëj thirrje Zonjës Topalli, e cila është shndërruar në kryeaktivisten në luftën kundër kancerit, që të mos pranojë importimin e lëndëve që do të dëmtonin shëndetin dhe vetëm sa do të shtonin rastet me kancer.
Njëri prej drejtuesve të lëvizjes civile, Ardian Klosi, në fjalën e tij kujtoi se: Kur në korrik protestuam ndaj shembjes së Piramidës, qeveria i quajti qytetarët pionerë të Enverit. Por, ata pionerë arritën që në një natë të mblidhnin pesë mijë firma. Pionerët bënë që presidentit të mos ta firmoste shembjen. E pra, paska një qytetari që di të bëjë zërin e saj të dëgjohet në këtë vend. Nuk ka rrugë tjetër, përveçse të bëjmë zërin tonë të dëgjohet edhe për plehrat.

Përfaqësuesit e shoqërise civile kanë sjellë në vëmendje rritjen e lartë të numrit të personave të prekur nga kanceri, një sëmundje që ndikohet mjaft edhe nga faktorët mjedisore. Kjo proteste u parapri nga një fushtë për mbledhjen e firmave të miëera qytetareve nga organizatat rinore të bashkuara në kuvendin civil, të cilët u shprehën kundër importiti të mbetjeve.

Më herët, një grup ambientalistësh kanë zhvilluar një takim me presidentin Bamir Topi, i cili ka kërkuar që të degjohet zeri i ekperteve dhe i shoqerise civile, për një ligj që i prek të gjithë qytetarët.

Ligji duhet të pranojë vetëm mbetjet tona, pasi ky vend nuk është ende gati të presë mbetje të huaja. Presidenti duhet të jetë shtylla bazë e komunikimit, me Kryeministrin, Ministrin dhe Komisionet e Sigurisë Kombëtare, theksoi Sazan Guri.

Ekspertët kanë theksuar se shteti duhet të merret me menaxhimin e mbetjeve ne vend dhe jo me importin e tyre.

************

Kuvend, ligji i plehrave u rikthye pa ndryshime  

Shqyrtimi i dekretit të Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit për importon e plehrave, më shumë se një debati për reflektim i ka ngjarë një mbledhje rutinë të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese në Kuvend. Përveç debatit midis palëve dhe shpalosjes edhe njëherë të argumenteve pro dhe kundër në lidhje me lejimin apo jo të importit të mbetjeve në vend, Komisioni nuk miratoi asnjë ndryshim në ligj duke e lenë atë në formën fillestare që u miratua një muaj më parë në. Me 12 vota kundër dekretit të Presidentit të Republikës dhe vetëm një pro, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese kaloi të pa ndryshuar ligjin duke ia lenë seancës plenare ndërmarrjen ose jo të ndryshimeve. Gjasat që ato të ndodhin janë të pakta duke parë edhe votimin e djeshëm të deputetëve demokratë. Një paralajmërim se një ligj kaq i rëndësishëm do të kalojë përsëri me forcën e kartonit.

Presidenti Topi e ktheu ligjin për mbetjet me argumentin se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Me qëllim që ligji dhe zgjidhjet e ofruara për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë të garantojnë sa më tepër rezultate pozitive, në bazë të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, vendosa të mos e dekretoj, por ta kthej edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, pasi gjej në të, mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit, do të sqaronte ai në letrën derguar Kuvendit duke shoqëruar edhe vendimin e marrë për mos dekretimin e ligjit.

Në këtë letër, Topi e justifikoi vendimin me faktin se ligji nuk jepte garanci për mbrojtjen e mjedisit në vend. Presidenti u fokusua pikërisht në nenin 49 të ligjit Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili është edhe shkaku kryesor i këtij debati një vjeçar, ku lejohet importi i mbetjeve në vend me qëllim riciklimin e tyre. Në këtë drejtim, Topi sqaroi se neni në fjalë del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve, apo pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve, shpjegoi ai.

Një pikë tjetër ku Presidenti Topi vërejti mos përputhje ishte ajo ku përcaktohej origjina e mbetjeve që do të trajtoheshin. Sipas Topit, neni 2, pika 1 e ligjit përcakton menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, kjo dispozitë ka parasysh se në territorin shqiptar do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. I pyetur në lidhje me këtë, zv/ministri i Mjedisit Taulant Bino shpjegoi se ligji nuk trajton vetëm mbetjet që kanë burim territorin shqiptar, por të gjitha ato që ndodhen në Shqipëri duke nënkuptuar edhe mbetjet që importohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›