Ligji i SHISH, PD: Pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së

Partia Demokratike reagon ndaj pretendimeve të opozitës mbi ligjin e SHISH-it, duke konfirmuar se çdo fjalë dhe çdo gërmë e këtij ligji pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së. PD i bën thirrje Edvin Kristaq Ramës, që të dërgojë anëtarët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe të paraqesë atje çështjet e ngritura.
Deklarata e plotë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Erla Mëhilli:
“Sot përsëri Edvin Kristaq Kriza, me shpifje e trillime të ulta u përpoq ti kundërvihej politikave sociale të qeverisë, rritjes së rrogave dhe pensioneve, rritjes së punësimit, rritjes së investimeve.
Ndërkohë që dje si një fondamentalist i vërtetë sulmoi institutin e statistikave, të dhënat e të cilit kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga institucionet më serioze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo dhe nga institucione të tjera nga e mbarë bota.
Sot në Korçë, Edvin 2 K (Kristaq Kriza) u ngrit sërish kundër investimeve të mëdha të qeverisë në këtë rreth, autostradës Qafë Plloçë – Qukës dhe Boshtit të Jugut, vetëm e vetëm se e di mirë se këto investime rrënojnë të ardhmen e tij politike të bazuar në kriza imagjinare , në shpifje e trillime. Përsa i përket komenteve mbi Ligjin e SHISH, të cilat z.Rama i bën pa e lexuar ligjin, Partia Demokratike qartëson se çdo gërmë, çdo fjalë e çdo fjali rreth këtij ligji është marrë dhe pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së. Njëkohësisht Partia Demokratike e fton z.Rama të dërgojë antarët e vetë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku do të diskutohet ligji, dhe të paraqesë atje të gjitha vërejtjet që ka, por është e sigurt se s’ka për të pasur asnjë vërejtje”.