E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i SHISH, qeveria ngrin procedurat

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se drafti për SHISH do të marrë ekspertizën e BE-së dhe NATO-s


Aktualisht drafti për SHISH është në ekspertizën e EURALIUS, për të ndërhyrë në nene të veçanta


Tiranë - Mazhoranca qeverisëse i është dorëzuar presionit të ndërkombëtarëve dhe ka pranuar të ngrijë procedurat e miratimit të projektligjit të shumëkundërshtuar të Shërbimit Informativ Kombëtar.


Pas heqjes nga rendi i ditës së seancës së mbajtur në datën 18 mars, shumica ka vendosur që para se ta miratojë në Kuvend, ta konsultojë atë me strukturat e specializuara të partnerëve tanë ndërkombëtarë, Bashkimit Europian dhe NATO-s.


Një fakt të tillë e ka pranuar dje numri dy i qeverisë dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili, duke bashkëbiseduar me gazetarët, ka sqaruar se për sa i përket këtij drafti do të merret mendimi edhe i këtyre strukturave në mënyrë që ta përshtatin atë sipas standardeve, që aplikojnë edhe vendet e shteteve anëtare të këtyre organizmave.


"Sigurisht që kjo (përmirësimi i ligjit ekzistues) do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me Bashkimin Europian ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n ku jemi anëtarë", - tha zëvendëskryeministri Ilir Meta i pyetur nga gazetarët lidhur me reagimin kundërshtues që shprehën përfaqësuesit diplomatik në vendin tonë gjatë ditëve të shkuara.


Pavarësisht kritikave, Meta pranon se ndryshimet në ligjin ekzistues të SHISH-it janë të domosdoshme për ta përshtatur këtë shërbim me zhvillimet e reja, siç është anëtarësimi i vendit tonë në NATO, por edhe lufta kundër terrorizmit dhe korrupsionit që kërcënon sigurinë kombëtare.


Ndërkohë që burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur dje se drafti i miratuar tashmë nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë i është kaluar për të dhënë ekspertizën e vet misionit të Bashkimit Europian, EURALIUS, i cili do të bëjë dhe vërejtjet për nenet e veçanta, për të cilat janë shprehur rezerva si nga SHISH, ashtu edhe nga aktorët e tjerë, opozita dhe ndërkombëtarët.


Nga debatet e zhvilluara në komisionin e Sigurisë, por edhe nga vërejtjet që kanë bërë në parim përfaqësuesit ndërkombëtar mësohet se tre janë dispozitat, ku dhe pritet të ndërhyhet në këtë draft dhe pikërisht neni 2, 3 dhe 9 i tij.


Pra, bëhet fjalë për nenin 2, me anë të cilit kërkohet të ndryshohet neni 3 i ligjit dhe ku përcaktohen detyrat e SHISH-it dhe pikërisht paragrafi i dhjetë, i cili sanksionon se shërbimi në përmbushje të detyrave të tij për bashkëpunimin dhe marrjen e informacionit për shërbimet e tjera duhet të marrë paraprakisht në parim pëlqimin e kryeministrit.


Problematik për sa i përket pavarësisë politike konsiderohet edhe neni 3 i draftit paragrafi 7, nëpërmjet të cilit përcaktohet se drejtori i SHISH i raporton kryeministrit në çdo kohë për çështjet që lidhen me veprimtarinë e tij.


Një tjetër pikë e këtij projekti që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vet këtij shërbimi dhe shumicës qeverisëse është edhe neni 9, i cili siç mësohet është vendosur në projektligj nga mazhoranca pa pëlqimin e drejtuesve të SHISH-it.


Pra, bëhet fjalë për dispozitën kalimtare me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH, i cili do të ketë tashmë një mandat 5-vjeçar, pavarësisht se nga e drejta e rikandidimit nuk përjashtohet as kreu aktual Bahri Shaqiri. Megjithatë, nga mënyra dhe këmbëngulja e mazhorancës në këtë variant tregon qartë se qëllimi i saj midis të tjerave është edhe zëvendësimi i Shaqirit në krye të SHISH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›