Vizita, Kukan: Duhet dialog. Arritje teknike për vizat

Delegacioni i Parlamentit Europian përfundoi dje vizitën dyditore në Tiranë, duke u përqendruar tek kriza politike dhe vizat
TIRANË - Delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga kryeparlamentari për Europën Juglindore, Eduard Kukan, përfundoi dje vizitën e tij dy ditore në Shqipëri me qellim verifikimin e përmbushjes se kritereve për liberalizimin e vizave.
Delegacioni i PE-së zhvilloi dje takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në takimet e zhvilluara me ta, kryetari i këtij delegacioni, Eduard Kukan, dhe eurodeputetja Tanja Fajon u kanë kërkuar klasës politike që të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa vlerësuan edhe arritjet teknike që janë bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, Kukan, pasi ka përshëndetur rolin e Presidentit Topi në moderimin e dialogut politik midis liderëve shqiptarë, apeloi që dialogu politik të zhvillohet më tej, për t'i dhënë fund krizës politike që vazhdon të mbizotërojë në vend prej 7 muajsh.
"Drejtuesi i delegacionit europarlamentar për Europën Juglindore dhe anëtarët e tjerë eurodeputetë vlerësuan lart rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të mazhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament, duke apeluar që ky dialog i nisur të vazhdojë e të forcohet sa më shumë duke i dhënë zgjidhje përfundimisht situatës politike në vend", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, kreu i delegacionit, Kukan, nënvizoi se Parlamenti Europian, pasi të ketë shqyrtuar përmbushjen e kritereve teknike nga ana e Shqipërisë, do të bëjë të gjitha përpjekjet që liberalizimi i vizave të kryhet përpara sesionit të verës.
Delegacioni zhvilloi takime edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe me kryeministrin Berisha. Gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, kreu i delegacionit, Eduard Kukan, vlerësoi arritjet teknike të Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave, ndërsa kërkoi që Parlamenti të rrisë bashkëpunimin me Parlamentin Europian në kuadër të aspiratës së integrimit në Bashkimin Europian të vendit tonë.
Edhe eurodeputetja Tanja Fajon tha se "nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin".
Ndërsa në takimin e tyre me Kryeministrin Sali Berisha është evidentuar edhe kriza politike. Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar qëndrimin e tij se ai ka ofruar mbështetjen e qeverisë për të paguar rreth 100 prokurorë, të cilët në mënyrë të pavarur të hetojnë zgjedhjet e fundit parlamentare. Berisha theksoi gjithashtu se mazhoranca me ngritjen e komisionit hetimor do të kryejë transparencën e zgjedhjeve, duke respektuar pushtetin gjyqësor që nënkupton moshapjen e kutive të votimit.
*******************
Deputetja e PS-së, Arta Dade, tha se opozita do të përdorë çdo mjet demokratik për transparencën e zgjedhjeve
Vendimi, PS refuzon komisionin hetimor
TIRANË - Partia Socialiste refuzon zyrtarisht ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet. Deputetja e PS-së, Arta Dade, ka deklaruar dje se Kuvendi shkeli ligjin, duke bërë që mazhoranca të mos zgjidhe krizën, por ta thellojë atë.
"Në shkelje flagrante të rregullores, me forcën e kartonit, të një grupi parlamentar të përbërë jo nga përfaqësues të lirë të popullit, por nga puthadorët e Saliut e Jozefinës, kjo mazhorancë vendosi që hetimin e Ruzhdies ta shndërrojë në një Ruzhdie tjetër, këtë herë parlamentare, ku i pandehuri heton vetveten, ku i akuzuari bën hetuesin, prokurorin, e gjykatësin, vendos rregullat e lojës, vendos së çfarë do të hetojë e çfarë jo. Ky veprim i Sali Berishës, jo vetëm që nuk e zgjidhi krizën, por me guximin për të vjedhur votat e opozitës, aty në parlament, e thelloi atë edhe më tej.
Ofertat serioze të kompromisit, u hodhën poshtë me arrogancë e papërgjegjshmëri, nga kryeministri e mazhoranca e Ruzhdies çka e zhveshi Kuvendin e Shqipërisë edhe nga ajo fasadë e brishtë legjitimiteti që i kishte mbetur, dhe i tregoi botës mbarë fytyrën e tij të vërtetë: të korruptuar, ilegjitime, antidemokratike", - tha dje Dade.
Sipas saj, kryeministri Sali Berisha me këtë veprim u tall edhe me partnerët ndërkombëtarë. "Partia Socialiste e refuzon këtë komision hetimor, si një komision të ngritur me shkelje flagrante të ligjit, dhe si i tillë, ai, jo vetëm që nuk mund të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, po përbën në vetvete objekt hetimi", - tha ajo, duke shtuar se PS-ja do të përdorë çdo mjet demokratik për të arritur transparencën, përfshi edhe protestat.
*******************
Kryeministri Berisha i propozon opozitës që transparencën e zgjedhjeve ta kryejnë prokurorët
Oferta e re e Berishës: 100 prokurorë për të hetuar zgjedhjet
TIRANË - Në një kohë kur opozita sheh si rrugë të vetme protestat, për zgjidhjen e krizës, Kryeministri Sali Berisha ofron një propozim të ri lidhur me kërkesën kryesore të Partisë Socialiste, transparencën e zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediat, pas vizitës në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve për festën e "Sulltan Novruzit", kreu i qeverisë propozoi angazhimin e 100 prokurorëve të financuar nga buxheti i shtetit për të hetuar zgjedhjet e 28 Qershorit në mënyrë të pavarur e të paanshme.
Por, i gjithë ky proces hetimi, sipas tij, duhet të realizohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që, sipas qëndrimit të mazhorancës, do të thotë moshapje të kutive të votimit.
Sipas Kryeministrit, nëse refuzohet një ofertë e tillë, opozita dëshmon se nuk posedon as edhe një fakt që të tregojë manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
"Por në qoftë se transparencës i themi transparencë, propozimi im është për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor.
Angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë mendoj se është zgjidhja totale e problemit në rast se kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete",- tha dje Berisha.
Në këtë mënyrë, sipas kreut të pushtetit ekzekutiv, formula e propozuar prej tij, posedimi i fakteve nga opozita si dhe angazhimi i 100 prokurorëve do të mund ta zgjidhte krizën politike shumë më shpejt sesa vetë anëtarët e komisionit hetimor.
Duke vepruar në këtë drejtim, sipas Berishës, procesi i hetimit të zgjedhjeve do të zhvillohej në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, duke mos e lejuar pushtetin politik të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit gjyqësor. "Komisioni i jep fakte prokurorëve. Unë premtova 100 prokurorë në mënyrë që të mos këtë vonesa në proces. Imagjino nëse zoti Rama ka 100 fakte dhe 100 prokurorë fillojnë njëherazi hetimin e tyre.
Pra, me një shpejtësi shumë më të madhe nga çdo mund ta bënin 15 anëtarë komisioni dhe me një kompetencë e profesionalizëm shumë më të madh, por edhe në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit që përcakton ndarjen e pushteteve, si një nga 2-3 shtyllat themelorë të sistemit demokratik; në respekt të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk i lejojnë politikanët që të marrin në dorë kompetenca të pushtetit gjyqësor", - u shpreh ai.
Kryeministri Berisha shtoi se ai beson që kjo ofertë nuk do të refuzohet nga opozita dhe sipas tij, ajo duhet të jetë e interesuar në një ofertë të tillë, si rrugë për daljen nga situata politike.
**************
Meta: Kutitë? PS-ja t'i drejtohet Gjykatës Kushtuese
TIRANË - Ashtu si kryeministri Sali Berisha edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zgjidhjen e krizës e sheh tek angazhimi i organit të prokurorisë për të marrë në dorë hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Meta theksoi se nëse opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve t'i drejtohet prokurorisë ose Gjykatës Kushtetuese.
"Nëse duan të hapin kutitë, t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, t'i drejtohen Komisionit të Venecias. Nëse duan një hetim më profesional, t'i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Qeveria do vendosë fonde që Prokuroria të ketë mundësi për të angazhuar më shumë prokurorë për këtë çështje", - tha dje Meta.
Për sa i përket qëndrimit të opozitës për t'iu rikthyer protestave, numri dy i qeverisë vuri në dukje se politika që po ndjek e majta është një politikë destruktive që nuk synon të hapë kutitë e votimit, por vetëm kërkon që të prishë imazhin e vendit.
Meta specifikoi gjithashtu se në rast se PS-ja kërkon transparencën e zgjedhjeve t'i drejtohet Komisionit të Venecias ose Gjykatës Kushtetuese. Por, sipas tij, nëse opozita do të kërkojë të marrë pushtetin me dhunë përgjegjësia do të bjerë tërësisht mbi vetë të majtën.
"Po të ketë vullnet për të hapur kutitë, është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë, si institucion i pavarur, dhe që ka të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për ta bërë këtë gjë.
Në rast se mendojnë se mund të marrin me dhunë pushtetin, sikurse kanë bërë edhe thirrje, kjo është çështje e tyre. Ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë, por natyrisht që do të mbajnë edhe përgjegjësitë e tyre", - u shpreh ai.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, deklaroi dje se një komision hetimor pa opozitën do të ishte i padobishëm
Komisioni hetimor, Bosh: Jam thellësisht i zhgënjyer
TIRANË - Moszgjidhja e krizës politike javën e kaluar në Kuvend nga forcat politike shqiptare është pritur mjaft keq nga faktori ndërkombëtar në vend. Në një prononcim për mediat, ambasadori i OSBE-ODIHR-it, Robert Bosh, theksoi dje se ka mbetur i zhgënjyer nga rezultatet që dha Parlamenti javën e shkuar.
Ai vuri në dukje se palët nuk arritën të prodhonin një konsensus midis tyre për të dalë nga ngërçi politik dhe për më tepër, deputetët nuk arritën të krijonin debat, por vetëm deklarata pa mbarim.
Sipas tij, kjo ishte pjesa më negative që Bashkimi Europian nuk mund ta pranojë. Bosh kërkoi që kjo situatë e prodhuar pas seancave dyditore plenare të mos jetë fundi i çështjes për zgjidhjen e ngërçit politik dhe se palët duhet të lëshojnë nga qëndrimet e tyre për arritur në një pikë të përbashkët takimi e kompromisi.
"Siç mund ta imagjinoni, jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Ju e dini që javën e shkuar u bëra thirrje të dy palëve për të arritur një kompromis. Dhe kompromis do të thotë që ta dëgjonin njërit-tjetrin. Parlamenti është vendi ku negociohet një kompromis dhe ajo që pamë ishte që të dy palët përsëritën këndvështrimet e tyre pa mbarim, pa fund.
Dhe nuk pati debat, vetëm deklarime dhe kjo ishte pikërisht ajo nuk donim të ndodhte. Kjo është pikërisht gjëja më negative që mund të mendohet. Pra, kjo nuk qe aspak e dobishme, shpresoj që kjo të mos jetë fundi i tërë çështjes, ashtu siç thashë të enjten kompromis do të thotë që të dy palët të lëshojnë diçka nga vetja, të bëjnë lëshime.
Asnjëherë nuk arrin plotësisht atë që do dhe tani çdokush rifillon me pikat e veta dhe kjo sigurisht nuk është e pranueshme dhe ne na duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë, me shpresën që dyert nuk janë krejtësisht të mbyllura, por sigurisht që nuk është aspak pozitive ajo që ndodhi javën e shkuar", - tha dje Bosh. Kreu i OSBE-së ka komentuar edhe ngritjen e komisionit hetimor nga Parlamenti vetëm me votat e mazhorancës duke refuzuar nismat e opozitës.
Ai e cilësoi komisionin si të njëanshëm dhe theksoi se ngritja e tij në këtë mënyrë është një veprim i padrejtë pasi komisioni duhet të formohej me miratimin e të dyja forcave politike dhe jo vetëm me votat e deputetëve të shumicës.
"Duhet të ishte një komision me mbështetjen e të dyja palëve. Nëse bëhet fjalë për një kompromis, të dyja palët duhet të jenë dakord. Nëse vetëm njëra palë është dakord, atëherë kjo nuk është shumë e dobishme. Të dyja palët duhet të bien dakord me atë që do të bëhet. Nëse vetëm njëra palë është dakord, kjo është de facto sikur të mos kesh asgjë", - u shpreh ai.
Robert Bosh evidentoi faktin se nëse liderët politikë nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre fillestare, atëherë zgjidhja nuk ka për t'u gjendur dhe kjo, sipas tij, ende nuk ka ndodhur pavarësisht apelit të Bashkimit Europian një javë më parë. "Ka vetëm një rrugë dhe një zgjidhje duhet gjetur.
Thamë gjithashtu mjaft qartë javën e shkuar, në çdo rast unë nuk përfaqësoj Bashkimin Europian, por u tha mjaft qartë gjithashtu nga përfaqësuesit e BE-së, se një zgjidhje duhet gjetur dhe për sa kohë askush nuk lëviz nga qëndrimi i vet, zgjidhja nuk ka për t`u gjendur.
Pra, për të dyja palët, duhet që të gjejnë një zgjidhje dhe tani asgjë nuk ka ndodhur 'de facto'," -nënvizoi Bosh. Duke mos dashur të japë ndonjë alternativë për zgjidhjen e krizës politike kreu i OSBE-ODIHR-it u shpreh se ai nuk mund të japë një formulë për zgjidhjen dhe se palët duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje përmes kompromisit.
Ndërsa përsëriti edhe një herë që shpreson që arritja e situatës politike në këtë pikë, të mos jetë fundi i opsioneve për të mos gjetur një zgjidhje për krizën politike.
"Mund të zgjidhjet me çfarëdo mënyre, nuk kam asnjë ide për këtë, të dyja palët duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje, nuk po them çfarë zgjidhje duhet të jetë, por sigurisht nuk duhet që njëra palë nuk heq dorë nga e saja dhe tjetra po ashtu, kompromisi është që të ecet së bashku dhe kjo është e sigurt që nuk ndodhi javën e shkuar.
Dhe ishte shumë negative, shumë zhgënjyese dhe shpresoj që ky të mos jetë fundi. Dhe besoj, sikurse thashë të enjten, besoj që ky nuk do të jetë fundi sepse ka vetëm një rrugëzgjidhje dhe ky është kompromisi", - përfundoi Bosh.
Edhe në vizitën e komisionerit të Zgjerimit Europian, Stefan Fule, u kërkua që Shqipëria të zgjidhë sa më parë krizën, në të kundërt do të penalizohet në integrimin e saj për në BE.