E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon ligjin e pronave

Qeveria i kishte dhënë pushtet kreut të AKKP që të anulonte vendimet e mëparshme të pronave. Rrëzohen nenet 16 e 18


TIRANË - Ligji për "Kthimin dhe Kompensimin e pronave" do të ndryshojë sërish për shkak se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ndryshimet e bëra nga qeveria Berisha në lidhje me këtë çështje.


Në vitin 2007, qeveria i dha pushtet të pakufizuar kreut të zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qendër, për të riverifikuar dhe shfuqizuar njëkohësisht vendimet e marra nga komisionet e mëparshme. Kjo gjë u cilësua si shkelje nga shoqatat e pronarëve dhe Avokati i Popullit, të cilët përpiluan animimin përkatës në Gjykatën Kushtetuese.


Ankimimi përmban pretendimet e ish-pronarëve për shfuqizimin e neneve 16 dhe 18 të këtij ligji, ku dhe përcaktohen kompetencat e AKKP-së për të rishqyrtuar dhe zhvleftësuar të gjitha vendimet e mëparshme që janë marrë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit, që kanë vepruar në vendin tonë prej më shumë se 15 vjetësh.


Ish-pronarët, në kërkesën e tyre vlerësojnë si antikushtetues kompetencën që i është dhënë nëpërmjet këtij ligji kreut të kësaj agjencie, e cila është në varësinë direkte të qeverisë për të shfuqizuar në mënyrë administrative vendimet e marra më parë nga komisionet pararendëse.


Në bazë të këtij ligji dhe, më konkretisht, të këtyre dy neneve kreu i AKKP-së ka të drejtë që të anulojë vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave të mëparshme, qoftë edhe ato të marra gjatë vitit 1993-1994, edhe pse mund të jenë të formës së prerë.


Në ankimim argumentohet se është antikushtetuese që një vendim i një komisioni të kthimit dhe kompensimit të pronës, i cili ka marrë formë të prerë, të mund të shfuqizohet në mënyrë administrative nga ana e një titullari që emërohet nga qeveria.


Të gjitha këto pretendime janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe burime të saj pohuan dje se është marrë vendimi për rrëzimin e neneve 16 dhe 18 të ligji. Sipas tyre, të dy këto nene bien ndesh me Kushtetutën. Vendimi i plotë pritet që të zbardhet gjatë ditëve të ardhshme dhe të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.


Dy nenet e rrëzuara

Neni 16, i ndryshuar

"l. Zyra e AKKP-së në qendër ka këto përgjegjësi:


c) Shqyrton ankimin ndaj vendimeve të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionit vendor për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve;


ç) Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin, ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.


Në zbatim të përgjegjësive të veta për kompensimin, zgjidhjen e ankimeve dhe shqyrtimin, kryesisht të vendimeve të dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, shprehet me vendim".


2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

"3. Vendimet e parashikuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.


Kur vendimi i parashikuar në pikat 1 e 2 të këtij neni nuk ankimohet, ose nuk shqyrtohet nga Drejtori i AKKP-së brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai përbën titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.".


Neni 18, i ndryshuar

"1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit, kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, në zyrën e AKKP-së në qendër.


2. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë të shqyrtojë kryesisht, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark.


Drejtori i Përgjithshëm shqyrton edhe vendimet e dhëna nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisionet e rretheve, ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. Pas shqyrtimit kryesisht, ose shqyrtimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:


a) Lënien në fuqi të vendimit;

b) Shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij;

c) Kthimin për rishqyrtim në zyrën rajonale të AKKP-së."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›