E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, dy të vdekur dhe tre të plagosur nga aksidentet

Rrugët Policia përcakton si shkak tejkalimin e normave të shpejtësisë

Dy aksidente me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve kanë ndodhur brenda pak orësh në Rrethin e Lushnjës. Në njërin prej aksidenteve shkaktari ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet prej policisë, ndërsa në tjetrin vetë drejtuesi i mjetit që pësoi aksident ka gjetur vdekjen. Për të dyja rastet shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Aksidenti i parë ka ndodhur gjatë orëve të vona të së enjtes, në lagjen “Skënder Libohova” të qytetit të Lushnjës. Në një rrugë dytësore të kësaj lagjeje, automjeti i tipit “Fuoristradë”, me targa B502X, që drejtohej nga Rafael Sefa, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, ka përplasur një këmbësore 83-vjeçare. E moshuara ishte duke u kthyer në banesën e saj, pasi kishte qenë te disa të afërm në lagjen pranë. Rafael Sefa që drejtonte makinën me shpejtësi nuk e ka vënë re kalimtaren dhe e ka përplasur atë për vdekje. Pas aksidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe mësohet se është shpallur në kërkim policor. Vetëm pak orë më vonë, në orën 05:00 të mëngjesit të së premtes, një tjetër aksident është shënuar në Rrethin e Lushnjës. Kësaj radhe ka qenë autostrada Fier-Lushnjë vendndodhja e aksidentit. Në rrethrrotullimin e Kolonjës, shumë pranë kthesës së fshatit Krutje, automjeti i tipit “Mercedez Benz”, me targa GJ8391A, me drejtues shtetasin Spiro GJ., 46 vjeç, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka rënë në kanalin anësor. Aksidenti ka qenë fatal për vetë drejtuesin e mjetit, i cili sipas burimeve policore, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se pozicionimi i makinës pas rënies në kanal ka bërë që një pjesë e timonit dhe pjesës së parme të saj të futet në trupin e 46-vjeçarit nga Gjirokastra, që udhëtonte drejt Tiranës. Së bashku me të në makinë kanë qenë edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë marrë plagë të rënda. Pas mjekimit në spitalin e Lushnjës, ata janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Për të dyja aksidentet, struktura e policisë së qarkullimit po punon për plotësimin e dosjeve përkatëse, ndërkohë që nga të dhënat dhe matjet në vendin e ngjarjes ka rezultuar se shkak në të dyja rastet ka qenë shpejtësia me të cilën lëviznin mjetet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›