E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve në vëmendjen e KE-së

04/11/2009  Raporterët kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të njihen me ecurinë e shqyrtimit

Pritet vendimi i Kushtetueses. Komisioni i Venecies e vlerësoi antikushtetues

Ecuria e shqyrtimit të ankimimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” ka qenë një ndër çështjet për të cilën dy raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës po kryejnë misionin e tyre për mbledhjen e fakteve në vendin tonë. Për këtë arsye David Wilshire dhe Jako Lakso janë pritur me kërkesë të tyre nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo. Gjatë takimit raporterët e Këshillit të Europës u interesuan për ecurinë e shqyrtimit të ankimimit të ligjit nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” pas marrjes së opinionit Amicus Curiae? nga Komisioni i Venecies si dhe për çështje të tjera të shqyrtuara nga kjo gjykatë për vitin 2009. Ligji në fjalë u ankimua nga Partia Socialiste në fund të muajit janar të këtij viti, pas hyrjes në fuqi të tij, me arsyetimin se ky ligj cenon 28 nene të Kushtetutës së Shqipërisë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimin të ligjit të dosjeve deri në një vendim përfundimtar të saj, duke pezulluar edhe procedurat parlamentare për ngritjen e Komisionit Parlamentar të Vlerësimit të Figurave. Në fillim të muajit tetor Komisioni i Venecies dha vendimin e tij duke e cilësuar si antikushtetues ligjin për hapjen e dosjeve. Pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese dhe KE-së për të marrë në shqyrtim ligjin e shumëpërfolur të lustracionit, Komisioni i Venecies shprehet se ligji është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Dy raporterët KE-së, Wilshire dhe Lakso, u pritën po dje edhe nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Zyra e shtypit të Kuvendit në njoftimin e saj vë në dijeni vetëm fjalën e kryeparlamentares, mes së cilës edhe ftesën e saj të përsëritur për pjesëmarrjen e opozitës në punimet e Kuvendit. “Siç kemi provuar edhe më parë, Parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit”, - është shprehur ajo.

Në takimin me krerët e drejtësisë

Nishani rarporterëve të KE-së: Ati ligji antimafia

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në takimin me raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë tha se “aktualisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft mbi strategjinë e reformës në drejtësi, që ka nevojë për përmirësim si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit”. Në kuadër të kësaj strategjie është miratuar ligji “Për organizimin e administratës gjyqësore”, si dhe është në proces projektligji “Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. “ Për miratimin e këtyre ligjeve të rëndësishme opozita nuk duhet të jetë e pranishme vetëm në aspektin formal, por ajo duhet të bëhet pjesë edhe e konsensusit politik për ecurinë e reformës në drejtësi”, - tha ministri. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ministri Nishani i njoftoi raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për hartimin dhe miratimin e afërt në Parlament të ligjit antimafia, i cili është rindërtuar për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›