E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet konflikti për tokën në qendër

04/11/2009  AKKP: Prona në qendër është truall shtetëror. Olldashi pret shiritin e lulishtes

Reagon Shoqata e Ndërtuesve: Lejet e ndërtimit janë si letra me vlerë

Thellohet konflikti për truallin në qendër të Tiranës. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e lulishtes pranë “Rrugës së Kavajës”, duke ftuar kreun e Bashkisë së Tiranës që të kontribuojë për krijimin hapësirave të gjelbra. Nga ana tjetër, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka hedhur poshtë deklaratat e Bashkisë së Tiranës, e cila ka pretenduar se prona në kryqëzimin mes “Rrugës së Kavajës” dhe “Rrugës së Durrësit” ka qenë pronë e Komunitetit Mysliman. Sipas zëdhënësit të AKKP-së, Gert Seferi, vendimi i ish- Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë ai i vitit 2000 është i kundërligjshëm. “Dokumenti ligjor bazë mbi të cilin është marrë vendimi i mësipërm është vërtetim pronësie nga hipoteka Tiranë, i cili daton në vitin 1919 dhe nuk ka asnjë dokumentacion tjetër, i cili duhet të vërtetojë faktin se kjo pronë ka qenë në pronësi të subjektit pretendues të paktën deri në vitin 1944 nuk është administruar nga ish-KKKP-së. Trualli i pretenduar vërtetim pronësie rezulton varrezë, nuk figuron të ketë qenë i tillë në asnjë nga hartat e viteve 1917 e më vonë deri në vitin 1937, për rrjedhojë prona e pretenduar nuk ka qenë realisht në vendin ku është kthyer nga ish-KKKP-ja. Kjo pronë rezulton e spostuar dhe e pozicionuar në mënyrë të kundërligjshme në vendin ku pretendohet sot”, – theksoi Seferi. Sipas tij, prona që pretendon Bashkia e Tiranës se ishte në pronësi të familjes Kika prej 14 vitesh, në fakt ka qenë pronë e shtetit dhe asnjëherë e ndonjë subjekti privat. “Nisur nga shqyrtimi i dokumenteve dhe hartografiket e administruara, AKKP-ja ndërmori të gjitha hapat ligjore për kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, duke e kaluar atë në pronësi të shtetit”, - theksoi Seferi. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shoqatës së Ndërtuesve sipas të cilës po pengohet zbatimi i një leje ndërtimi të marrë sipas ligjeve që në vitin 1996. Me anën e një deklarate për shtyp kreu i kësaj shoqate, Maksim Muçi është shprehur se asnjë institucion nuk mund të pezullojë një aktivitet të ligjëruar. Sipas tij, leja e ndërtimit është një letër me vlerë dhe kalon në disa hallka të administratës. Kjo procedurë ka një kosto ndaj, çdo ndërhyrje e qeverisë është në dëm të privatit, por krijon edhe një klimë pasigurie për biznesin. Aktualisht pronarët që pretendojnë truallin në qendër të Tiranës dhe Bashkia e Tiranës kanë bërë kallëzim penal në Prokurori.

ABELA

Projektet në fazë implementimi

• Ka përfunduar ndërtimi i TEC-it të ri me cikël të kombinuar, me fuqi 97 MW në Vlorë, që parashikohet të prodhojë 700 GWh energji elektrike ose rreth 11 për qind të konsumit aktual. Aktualisht është në fazën e provave finale me ngarkesë

• Ka filluar ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit, me fuqi 93 MW që parashikohet të prodhojë 360 milionë GWh energji elektrike dhe të vihet në punë në fund të vitit 2011

• Ka filluar ndërtimi i HEC-it të ri ASHTA, me fuqi rreth 48 MW, nga kompania Verbund

• Është nënshkruar kontrata e koncesionin për ndërtimin e tre HEC-eve, në formë kaskade në lumin Devoll, me fuqi rreth 320 MW, prodhim 985 GWh dhe investim rreth 1 miliard euro

• Është hapur gara për ndërtimin me koncesion, në formën e një partneriteti publik-privat, të HEC-it Skavicë dhe janë zgjedhur 6 kompani

• Deri tani janë dhënë me koncesion 83 HEC-e të vegjël, me fuqi totale të instaluar prej 230 MW dhe prodhim vjetor total të energjisë elektrike prej 700 GWh

• Po realizohet projekti “Për ndërtimin e linjës 400 kV Elbasan-Tiranë-Podgoricë. Qeveria gjermane ka mbështetur financimin e projektit “Për ndërtimin e linjës së re 400 kV të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë”, me vlerë rreth 65 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›