E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesat e reja, skema e përdorimit për pajisje e paga

04/11/2009  Me çmimet e reja të vizitave më shumë të ardhura për poliklinikat

Vënia e tarifave të reja për vizitat mjekësore në poliklinika apo ambulancat e lagjeve do t’u sigurojë të ardhura të shumta qendrave shëndetësore, në rast se pacientët nuk do të përfshihen në skemën e sigurimeve. Kjo pasi qytetarët që do t’i drejtohen mjekut specialist për vizitë apo ekzaminim, do të paguajnë tarifa disa herë më të larta se ato të aplikuara më parë. Përdorimi i të ardhurave që mblidhen nga pacientët e pasiguruar do të administrohet tërësisht nga vetë qendra sipas një skeme të miratuar nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore.

Përdorimi

Të ardhurat dytësore që mblidhen nga pacientët e pasiguruar do të përdoren 100 për qind nga vetë qendra për të siguruar pajisjet dhe aparaturat e nevojshme diagnostikuese, për paga dhe shpërblime të stafit të bluzave të bardha si dhe për sigurim materialesh të tjera konsumi mjekësor. Konkretisht ndarja në përqindje do jetë e tillë: 30 për qind e të ardhurave do të shkojnë për shpërblime të mjekeve, infermiereve dhe personelit tjetër ndihmës; rreth 30 për qind e këtyre të ardhurave janë të destinuara për realizimin e investimeve të caktuara shëndetësore, ndërsa 40-përqindëshi i mbetur do të shkojë për blerjen e medikamenteve dhe materialeve të tjera mjekësore të nevojshme për qendrën. Po e njëjta skemë përdorimi i të ardhurave do të zbatohet edhe për shërbimet spitalore, të cilat prej disa muajsh kanë kaluar zyrtarisht në skemën e sigurimeve pranë ISKSH-së. Specialistët e qendrave kanë pohuar se kjo gjë do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara për pacientët, si dhe ndërgjegjësimin e tyre për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve, në mënyrë që të mos paguajnë për shërbime që ofrohen falas për popullatën.

Ndryshimet

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit kontratat shoqërohen me një paketë shërbimesh të mirëdetajuar, e cila do të ofrojë falas për të gjithë pacientët e siguruar një sërë shërbimesh bazë, që ndahen sipas shtatë kategorive kryesore. Kjo paketë e detajuar shërbimesh do të jetë e afishuar në të gjitha qendrat e kujdesit në vende të dukshme, në mënyrë që pacientët të dinë se për cilat shërbime duhet paguar ose jo.

Spitalet

Skema e re e ndërmarrë edhe në sistemin spitalor përcakton se ndërmjet spitalit publik dhe ISKSH-së do të ketë një kontratë. Këto kontrata synojnë të bëhet në mënyrën e duhur lidhja ndërmjet pagesave më shërbimin që u ofrohet pacientëve. Sipas specialistëve të fushës, pohohet se një pjesë e pagesës do të vijojë të jetë me buxhetim, por shtesa e buxhetit do të lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me performancën e spitaleve. Kjo mënyrë pagese do të ndikojë në uljen e informalitetit, që ekziston prej kohësh në këtë shërbim. “Do të ketë pagesa për raste të kuruara dhe trajtuara realisht në spital dhe duke ndjekur sistemin e referimit do të kemi dhe një kontroll më të fortë”, - pohohet nga ekspertët

Pagat e mjekëve

Pagat e punonjësve të qendrave të parësorit do të jepen në bazë të performancës dhe rezultateve të arritura nga bluzat e bardha. Kontratat e reja që do të nënshkruhen me poliklinikat në vend, do të sanksionojnë edhe këtë pikë, ku mjeku që jep rezultatet më të larta do të paguhet me shumë. Vlerësimi i tyre do të bëhet nëpërmjet indikatorëve të performancës, që kanë të bëjnë me numrin e vizitave të kryera apo me 10 indikatorët e tjerë të cilësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›