Ligji i faljes, Qirjako: Rritet interesi i qytetarëve për rivlerësim të pasurive

Pranë Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme regjistrohen qindra banesa të rivlerësuara. Kryeregjistruesi, Arben Qirjako bën në ditur se është vënë re një fluks pune edhe gjatë muajve të verës, periudhë kur shënoi edhe hyrjen në fuqi të ligjit të faljes. Sipas ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, çdo qytetar që tregton një pronë paguan si taksë 10% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes. Por, me vendimin që qeveria mori për faljen dhe legalizimin e aseteve u mundësua të gjithë qytetarëve që të rivlerësojnë banesat e tyre kundrejt vlerës 1 për qind, pra dhjetë herë më parë. Kryeregjistruesi Qirjako bën thirrje që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të përfitojnë nga ky ligj, e vlefshme kjo për ato apartamente të privatizuara pas vitit 1991 kundrejt vlera të ulëta prej 30-50 mijë lekë. Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, në rast se një qytetar e shet apartamentin për 5 milionë lekë, në ditët e sotme ai duhet të paguajë 10% të kësaj diference, ose rreth 500 mijë lekë. Në rast se zgjedh ta rivlerësojë sot pronën, qytetari do t’i paguajë shtetit 50 mije lekë ose 10 herë më pak. Dhe nëse pas rivlerësimit qytetari e shet pronën me vlerën aktuale të tregut, nuk i paguan asnjë detyrim shtetit, sepse diferenca mes çmimit të rivlerësuar dhe atij të shitjes është zero.