E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diagnoza pa gabime perurohet sherbimi i telemjekesise

Tashmë diagnozat e shpejta dhe të pagabueshme do të sigurohen falë telemjekësisë, shërbim ky i inaguruara këtë të martë. Në kohë reale komunikimi me anë të kësaj aparature do të shkurtojë punën e mjekëve, të cilët për cdo paqartësi do të konsultohen me kolegët e tyre në mbarë botën. Këtë ka siguruar edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili shtoi se kjo sipërmarrje do të ndikojë dhe në edukimin në vazhdim të bluzave të bardha. Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu ka theksuar se kjo qendër është një tjetër mbështetje, që i bën Amerika, Shqipërisë në fushën e shëndetësisë.
 
“Hap një kapitull të ri në diagnozën, në formimin, në komunikimin do të thoja të të gjithë sistemit tonë shëndetësor. S’ka energji më të fuqishme se sa gara dhe secili nga mjekët, në komunikimin me kolegun e tij do të jetë ndaj vetes, shumë herë më kërkues“, tha Berisha.

“Ekziston nevoja e qenësishme për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, por kjo nevojë është më e thellë në zonat e largëta të Shqipërisë, në fshatra. Telemjekësia ndihmon në përmirësimin e kësaj nevoje, për kapërcimin e faktorëve që e pengojnë si infrastruktura me kosto të ulët. Ky partneritet është shembull i mirë i asaj se si investimet relativisht të vogla në teknologjinë e informatikës sjellin efekte të ndjeshme në jetën e njerëzve“, tha ambasadori amerikan, Arvizu.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka dhënë garancinë se ky shërbim do të ndihmojë edhe stafin mjekësor për shkëmbim eksperiencash me homologët e tyre nëpër botë.

“Rrisim maksimalisht cilësinë e shërbimit që ofrojmë me një diagnozë shumë të saktë dhe njëkohësisht bëjmë mik të sistemit shëndetsor shqiptar teknologjinë e re bashkëkohore. Edhe projektet e mëparshme, të orientuara në shëndetin parësor nga qeveria dhe populli amerikan, gjithmonë kanë pasur konstante të tyre që kualiteti, aksesi më i lartë shëndetsor dhe cilësia më e lartë, të jenë gjithmonë e më pranë qytetarit“, tha Vasili.

Përveç Tiranës, shërbimi i telemjekësisë do të shtrihet edhe në pesë spitale rajonale të vendit. Ky shërbim financohet nga USAID.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›