E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji i lustracionit, palët të shmangin konfliktet politike në prag të zgjedhjeve”

Deklarojnë bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

TIRANE – Palët të shmangin konfliktet politike në zbatimin e ligjit të lustracionit. Këtë sugjerim kanë bërë bashkëraportuesit e Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë. Bashkëraportuesit e kanë bërë të qartë se ekziston mundësia për një përplasje te madhe partiake-politike mbi ligjin e ri shqiptar te lustracionit para zgjedhjeve te qershorit dhe nxitën të gjithë palët të bëjnë ç’është e mundur për të shmangur këtë.
Jaako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Wilshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG) kaluan dy ditë në Tiranë duke diskutuar ligjin e ri dhe mënyrën sesi u morën vendimet mbi delegacionin e Shqipërisë në APKE.
Ata nxitën Gjykatën Kushtetuese dhe qeverinë që të dërgojnë ligjin tashmë të miratuar të lustracionit në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës për të siguruar që ai është plotësisht në përputhje me detyrimet e Shqipërisë si shtet-anëtar i Këshillit të Evropës.
Sipas raportuesve, një rrugë për të shmangur krijimin e një krize, mund të ishte vonesa e implementimit të ligjit të lustracionit derisa Gjykata Kushtetuese të ketë shqyrtuar kushtetutshmërinë e tij dhe Komisioni i Venecias të ketë pasur mundësinë ta marrë në konsideratë atë.
Në lidhje me mënyrën sesi u vendos delegacioni i Shqipërisë në APKE bashkëraportuesit ritheksojnë se është në dorën e secilit prej 47 shteteve anëtare për të marrë vendime të pavarura, duke pasur parasysh nevojën për të respektuar detyrimet e tyre ndaj Këshillit të Evropës, dhe për të punuar sipas rregullave të tyre brendshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›