“Projekte si gazsjellësi TAP, me rëndësi të madhe strategjike”
Kryeministri Berisha takon Bordin Drejtues të TAP
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Bordin Drejtues të projektit të gazjellësit Trans-Adriatik (TAP), të përbërë nga Drejtori i projektit Robert Klein dhe përfaqësues të kompanisë finlandeze StatoilHydro Jan Mikal Heiberg dhe Irene Rummelhoff dhe asaj zvicerane EGL Markus Brokhof dhe Hans Schulz.
Bordi Drejtues bëri mbledhjen e tij në Shqipëri, meqenëse Shqipëria është vendi kryesor i këtij projekti gazsjellësi. Qëllimi i mbledhjes ishte prezantimi i arritjeve dhe vizionimi i këtij projekti në të ardhmen. Ata u shprehën të sigurt që fillimi i këtij projekti do të jetë i shpejtë dhe se roli i Shqipërisë në mbështetjen dhe nxitjen e tij në rajon është vital.
Përfaqësuesit e kompanisë Statoil Hydro u shprehën se iu shtuan këtij projekti të madh një vit më parë, sepse e panë atë si një projekt ekonomik dhe të mundshëm. Shqipëria, gjithashtu me performancën e saj ekonomike, u bë një arsye tjetër serioze që e nxiti këtë kompani t’i bashkohej këtij projekti.
Berisha tha se ky projekt e fut Shqipërinë në hartën e gazit dhe është projekti i dytë pas atij italian të kompanisë Falcone. Kryeministri falënderoi Bordin Drejtues të këtij projekti madhor për besimin që kanë tek vendi i tij për ndërmarrjen e kësaj iniciative të madhe dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të tij dhe të qeverisë.
“Projekte të tilla, janë me rëndësi të madhe strategjike, politike dhe ekonomike”, tha Berisha.