E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i regjistrimit: Do ta çojmë në Kushtetuese

20/07/2011  AK shprehet se votimi është bërë me 69 dhe jo me 71 vota . Kemi pamjet

Herion Mesi

Çështja e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, një ligj ky i miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë pritet të përfundojë në tryezën e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Ka qenë “Aleanca Kuqezi” që ka paralajmëruar dje se do të ankimojë votimin në Parlament të projektligjit të ndryshuar për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike e kombëtare. Sipas aktivistëve të kësaj lëvizjeje, bëhet fjalë për një skandal, që ata e kanë bërë dje publik për mediet. “Aleanca Kuqezi” njoftoi dje se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Brukselit në lidhje me votimin e 7 korrikut në Parlament të ligjit për regjistrimin e popullsisë, për shkak se dy deputetë që nuk kanë qenë në Kuvend, rezultojnë të kenë votuar. Sipas tyre, “në Parlament nuk votuan 71 deputetë, por 69, pasi dy deputetë mungonin. Bëhet fjalë për deputetët e Partisë Demokratike Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra”, - theksuan dje aktivistët e “Aleancës Kuqezi”. Më tej në argumentimin e tyre ata shtuan se dy deputetët Maliqi e Dibra rezultojnë të kenë qenë jashtë Shqipërisë ditën e votimit dhe deputetë të tjerë të PD-së kanë votuar për ta. Aleanca shkoi më tej teksa bëri publike edhe dy biletat e udhëtimit të deputetëve, ku rezulton se një prej tyre ka ardhur në vend pesë ditë pas votimit, ndërsa tjetri nuk është kthyer akoma. “Aleanca Kuqezi për të vërtetuar atentatin inovator ndaj Parlamentit dhe fakteve të pakundërshtueshme që dy deputetët Maliqi dhe Dibra figurojnë se kanë votuar, edhe pse ndodheshin mijëra kilometra larg sallës së Parlamentit, nisur pra nga këto fakte “Aleanca Kuqezi” e shikon si të vetmen rrugëzgjidhje dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar antikushtetutshmërinë e votimit të ligjit për regjistrimit të popullsisë mbi baza entike dhe fetare, për shkelje të kushtetutës dhe të abuzimit me detyrën e deputetit”, - thanë përfaqësues të Aleancës. Aleanca insiston se votimi i këtij ligji ishte i turpshëm, pasi u votua me dy duar dhe u numëruan vota edhe për dy deputetët që kanë qenë jashtë shtetit dhe jo në sallën e Kuvendit gjatë procesit të votimit.

Votimi

Me 71 vota pro deputetët e mazhorancës i thanë “po” miratimit të projektligjit për regjistrimin e popullsisë dhe regjistrimin e banesave. Në votimin e 7 korrikut u përfshi edhe amendamenti i PDIU-së, i cili kishte të bënte me një riformulim të pikës 16 të ligjit.

Filmimet

AK-ja deklaroi se disponon edhe prova filmike, ku sipas saj duken qartë dy deputetët të votojnë për kolegët e tyre që nuk ndodheshin në sallën e Parlamentit. Nëse provat paraqitura në Kushtetuese nga AK-ja do të rezultojnë të vlefshme, mund të jetë edhe një argument i fortë që Presidenti të kthejë ligjin mbrapsht.

Abuzimi

“Është për të ardhur keq abuzimi me këtë çështje dhe nga shumë persona publikë, përfshirë edhe disa zyrtarë që përpiqen të përbaltin çdo punë të mirë që ndershmërisht përpiqemi të bëjmë. Është angazhimi ynë miratimi i këtij projektligji”, - theksoi ministri Pollo gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Ligji

Në prezantimin e projektligjit para deputetëve Ministri i Novacionit Genc Pollo theksoi se “ky projektligj abrogon anomalitë e gjetura 11 vjet më parë, vendos ndëshkime të arsyeshme për cilindo që nuk respekton rregullat e censusit dhe nuk tregon korrektesën e detyrueshme ndaj tij, mbron të dhënat personale siç e lyp ligji kombëtar dhe ligji evropian. Ky projektligj i votuar në Kuvend do të bëjë të mundur që censusi i vjeshtës të jetë cilësor, i besueshëm, i vlefshëm dhe krejt i krahasueshëm me të ngjashmit e tij me censuset e mbajtura në vendet e BE-së. Ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin etnik apo fetar, siç pretendojnë sharlatanë zhurmatorë, që kanë nakatosur punët që u takojnë dhe duan të përhapin ndotje gjithandej”, - deklaroi Genc Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›