E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri i barnave, rëndon xhepat e qytetarëve

Ligji i tregtimit të barnave, pavarësisht se nxit edhe më shumë konkurrencën, mund të liberalizojë më shumë tregun, apo të japë hapësira edhe për të rinjtë, disa prej ndryshimeve rëndojnë xhepat e qytetarëve dhe të financuesit të madh të shëndetësisë.

Pas viteve 1990, tregu i barnave ka kryer reformë të madhe dhe të vlefshme, por kohët e fundit me ndryshimet e ligjit të farmaceutikës, kjo reformë ka bërë hapa prapa dhe asnjë hap përpara. Në një intervistë, kreu i Urdhrit të Farmacistëve ka sqaruar një pjesë të problemeve që janë shfaqur në tregun e farmaceutikës, rritja e çmimit të euros, problemet që kanë qytetarët me farmacistët, si dhe disa prej mënyrave për zgjidhjen e krizës së barnave në qendrat spitalore universitare pas kalimit të tyre në varësi të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Përse ligji i ri i sistemit farmaceutik rëndon xhepat e pacientëve dhe ka bërë hapa prapa?

Asnjë vendim qeverie nuk u miratua në zbatim të ligjit të ri të barnave, kjo bëri të ngecë reforma sidomos vendimi për statusin e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Së dyti, dy ndryshimet në ligjin e barnave ishin të panevojshme. Ndryshimi i parë lidhet me nenet 50 dhe 51 të tij, që kanë të bëjnë me çmimet e barnave dhe Komisionin e Çmimit të Barnave. Ky ndryshim çoi në kthimin mbrapa për sa i përket deklarimit të çmimeve, duke u kthyer përsëri nga çmimi i negociuar në çmimin e deklaruar. Rrjedhimisht u hoq koncepti i negocimit, pasojat e të cilit ndihen dhe sot në buxhetin e ISKSH dhe xhepat e popullatës. Ndryshimi i dyte ka të bëjë me heqjen e kompetencave të Komisionit të Çmimit të Barnave, duke e kthyer në një komision apatik, si dhe heqjen e përfaqësuesit të Urdhrit të Farmacistëve.

Ndryshimi i fundit i Ligjit 9323 datë 25.11.2007" Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik" ka të bëjë me licencimin e veprimtarisë së farmacive. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një hap mbrapa, në lidhje me licencimin e veprimtarisë së farmacive dhe agjencive farmaceutike nga çdo DSHP, kur ndërkohë me iniciativën e Kryeministrit është duke u miratuar ligji për licencimin e të gjitha veprimtarive nga një qendër e vetme që do të quhet Qendra Kombëtare e Licencimit. Përse duhet të ktheheshim disa hapa mbrapa për pak kohë?

Si po ecën procesi i licencimit të farmacive, sipas rregullave të reja të miratuara?

Ajo që dua të theksoj këtu, është se kohët e fundit, pas një ndërprerjeje disamujore të licencimit, ky proces i licencimit të veprimtarisë së farmacive, ka filluar të bëhet duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.910 datë 18.06.2008, i cili është i paligjshëm, pasi është miratuar në bazë të një projektligji, sepse ligji mbi të cilin është hartuar ky projektvendim, ka datën 27.10.2008 dhe nr. 10008. A nuk përbën edhe kjo kthim mbrapa.

Kemi raste abuzimesh, kur në farmaci qëndrojnë dhe ushtrojnë aktivitetin edhe ata që nuk kanë një diplomë farmacisti?

Profesionin e farmacistit nuk mund ta ushtrojë kushdo përveç farmacistit, i cili ka formimin e duhur profesional dhe di ta ushtrojë këtë profesion në përputhje të plotë me deontologjinë farmaceutike për mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Pasojat që vijnë nga dhënia e barnave nga persona jo farmacistë, janë të pariparueshme për ata që i përdorin ato. Farmacisti nuk shet thjesht barna, por i jep dije dhe shërbim pacientit, duke e këshilluar atë për njohuritë rreth barit, efektet pozitive dhe negative të tij, kohën dhe mënyrën e përdorimit, kushtet e ruajtjes dhe rrezikshmërinë për fëmijët. Është detyrë primare dhe kërkesë e ligjit, për organet e kontrollit siç është dhe QKKB, që të kontrollojë në çdo kohë brenda dhe jashtë orarit të punës së saj, shërbimin në farmaci. Mendoj se në këtë drejtim, ushtrohet kontroll minimal, pasi nga ana e këtyre organeve nuk është bërë asnjë kërkesë në adresë të Urdhrit të Farmacistëve, për t‘i gjykuar profesionalisht për këtë lloj shkeljeje. Sot ka shumë raste që në farmaci, "shërbejnë" edhe pronarë e familjarë të farmacistëve, të cilët i bëjnë një përbaltje këtij profesioni, por ajo që është më e rëndësishme është dëmtimi i shëndetit të njeriut. Mungesa e bashkëpunimit të strukturave shtetërore të kontrollit farmaceutik me Urdhrin e Farmacistëve, është një e metë kryesore e përhapjes së këtij fenomeni. Vlen të theksoj këtu se, me ndryshimin e ligjit të barnave, këto struktura i janë "qepur" për të mos lejuar farmacistët që kanë një kualifikim profesional duke lënë profanët të shërbejnë në farmaci. Ne jemi duke parë për ndryshime të mundshme në ligjin e Urdhrit në mënyrë që t‘i presim rrugën kësaj të keqeje të madhe.

Ligji i Urdhrit të Farmacistit

Në ligjin e Urdhrit të Farmacistëve është e përcaktuar se UFSH ka për mision ruajtjen dhe garantimin e nivelit të lartë të formimit e edukimit shkencor e profesional të farmacistëve, ushtrimin e profesionit sipas kërkesave shkencore të etikës mjekësore e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe mbrojtjen e pacientëve e konsumatorëve nga kequshtrimet profesionale.

Kriza

Distributorët kanë të

drejtë për rritjen e euros

Sipas Urdhrit të Farmacistëve, fenomeni i rritjes së euros, lidhet me ato ndryshime që i janë bërë ligjit të barnave. Ne vendimin e qeverisë, nuk është shprehur qartë se kur ndryshohet kursi i këmbimit edhe pse thuhet se merret si referencë gjashtëmujori i fundit i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu nuk përcaktohen kompetencat e Komisionit të Çmimit të Barnave.

"Ky komision ka përfaqësues të disa ministrive dhe është vendimmarrës, por sipas kësaj VKM, ky është thjesht një komision kukull", thotë Jaupllari. Luhatja prej dhjetë pikësh e kursit të këmbimit, duhet të kishte gjetur zgjidhjen nga Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të kishte përgatitur projektvendimin dhe të argumentojë në qeveri, pse dhe sa duhet të ndryshojë ai. Importuesit farmaceutikë i kanë bërë përpjekjet e tyre dhe janë në pritje. Nuk duhet të jetë ky sektori i vetëm që duhet të paguajë efektet e krizës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›