Ligji i ri, jashtë kazinove kumarxhinjtë e denoncuar
BLEDAR HOTI
Qeveria depoziton në Kuvend nismën në të cilën do të ndalojë të luajë nëpër kazino çdo kumarxhi i denoncuar nga familja për shpërdorim parash. Në çdo kazino do të jetë e shpallur lista e personave të padëshiruar për të luajtur, pasi ndaj tyre ka ankesa nga ana e pjesëtarëve të familjes. Projektligji për disa ndryshime në “Lojërat e Fatit” ka vendosur si sanksion ndëshkimor moslejimin e atyre personave, ku familjarët kanë ankesa të panumërta për shpenzimet e parave të shumta. Nisma e qeverisë u bë publike disa javë më parë nga vetë kreu i Qeverisë, Sali Berisha, pas disa dhjetëra ankesash nga vetë familjet. Nisur nga kjo ai i kërkoi ministrit të Financave, Ridvan Bode, marrjen e masave penalizuese ndaj kësaj kategorie personash. Në nenin 1 të këtij drafti është përcaktuar se “organizatori i lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit persona nën moshën 18 vjeç. Organizatori merr masa të ndalojë të luajë në këto mjedise një person mbi 18 vjeç, për të cilin ka një kërkesë me shkrim, të paktën prej njërit nga familjarët, për shkak të gjendjes ekonomike, kërkon mos lejimin e këtij personi”. Në këtë amendament sanksionohet se kërkesa e familjarit duhet të jetë e noterizuar dhe paraqitet pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, duke i bashkangjitur një certifikatë të gjendjes familjare. “Pas marrjes së këtij denoncimi, Njësia e Mbikëqyrjes njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit, për mos lejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Njoftimi publikohet edhe në faqen zyrtare të Njësisë”, thuhet në paragrafin e fundit të nenit 1.
Ndryshimi i çmimit të licencave
Në këtë ligj propozohet ulja e tarifave të licencimit për kazinotë, duke synuar liberalizimin e këtij biznesi. “Tarifa për marrjen e licencës për kazino janë si më poshtë: Për licencë në zonën e Tiranës, 1.000.000.000 lekë të reja; për licencë në zonën e Durrësit 600.000.000 lekë të reja; për licencat në zonat e tjera të Republikës së Shqipërisë 300.000.000 lekë”, thuhet në ndryshimin e paraqitur në nenin 6 të draftit. Gjithashtu, është përcaktuar që organizatori i pajisur me licencë nuk mund të japë më shumë se një kazino. Gjithashtu, në këtë draft është marrë vendimi për përgjysmimin e tatimit të fitimit për bastet sportive. “Organizatori i basteve sportive paguan tatimin për lojërat e fatit 5 për qind mbi vëllimin e qarkullimit, gjithsej, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave, por jo më pak se: “për 1 deri në 99 NIPT-e, 10 milionë lekë për çdo shoqëri që kryen veprimtari; për 100 deri në 149 NIPT-e, 12 milionë lekë në muaj; mbi 150 NIPT-e, 14 milionë lekë në muaj për çdo shoqëri që kryen këtë veprimtari. Organizatori duhet t’u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë”. Përveç pagesave të shoqërisë për çdo pikë basti, duhet të kryhen pagesat në tarifa fikse mujore: Rrethet e kategorisë së parë 40 mijë lekë; rrethet e kategorisë së dytë 30 mijë lekë dhe rrethet e kategorisë së tretë 20 mijë lekë. Qeveria ka propozuar uljen e masës së gjobave për rastet kundërvajtjes administrative nga 1 milion në 500 mijë lekë. Gjithashtu, ulet edhe masa e gjobës për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme për kazino elektronike, ku nga 1 milion lekë për çdo makinë bëhet në 500 mijë lekë.
Licencat e kazinove:
Për zonën e Tiranës, 1.000.000.000 lekë;
Për zonën e Durrësit 600.000.000 lekë;
Në zonat e tjera të
Republikës së Shqipërisë 300.000.000 lekë
Bastet sportive:
Organizatori i basteve sportive paguan tatimin për lojërat e fatit 5 për qind mbi vëllimin e qarkullimit nga 10 për qind, që ishte, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave
Bastet nuk paguajnë jo më pak se: për 1 deri në 99 NIPT-e, 10 milionë lekë për çdo shoqëri që kryen veprimtari;
për 100 deri në 149 NIPT-e, 12 milionë lekë në muaj;
mbi 150 NIPT-e, 14 milionë lekë në muaj për çdo shoqëri që kryen këtë veprimtari.
Organizatori duhet t’u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë
Masa e gjobës
Ulet masa e gjobave për rastet kundërvajtjes administrative nga 1 milionë në 500 mijë lekë
Ulet edhe masa e gjobës për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme për kazino elektronike, ku nga 1 milion lekë për çdo makinë bëhet në 500 mijë lekë.