E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Bashkitë e PS abuzojnë me fonde për punësimin e militantëve

 

Ministri i Financave në konferencën e djeshme për shtyp hedh poshtë akuzat e PS-së për diferencime të bashkive apo komunave socialiste në ndarjen e fondeve të buxhetit të vitit 2010 dhe cenim të autonomisë vendore. “Akuzat politike për ndarjen e fondeve janë tërësisht të pabaza dhe janë thjesht një pretekst për të tërhequr vëmendjen dhe për të rritur angazhimin e Ramës për të destabilizuar jetën shoqërore dhe politike në vend”, tha Bode. Sipas kryefinancierit, Partia Demokratike disponon në pushtetin lokal më shumë komuna, më shumë popullsi se sa disponon Partia Socialiste. “Sigurisht mbi 50% e njësive lokale i takojnë PD dhe pjesa tjetër PS, si dhe partive të tjera. Unë theksoj se në buxhetin e vitit 2010, ku akuzohet Qeveria për ndarje partiake të fondeve, bashkitë dhe komunat e fituara nga PS, kanë 4.2 miliardë lekë ose 40% të fondeve të grandit të pakushtëzuar në total. Bashkitë dhe komunat e fituara nga PD kanë 4.4 miliardë lekë ose 43% të fondeve që shpërndahen, 4% janë bashkitë e LSI-së, si dhe 13% janë bashkitë dhe komunat e forcave të tjera politike apo të pavarura”, tha Bode. Ministri tha se të shtosh “14 miliardë lekë nga buxheti në adresë të pushtetit lokal për të bërë rrugë, ujësjellës, përmirësimin e të gjithë shërbimeve të tjera komunale dhe këto të përkthehen në rritje të punësimit të militantëve apo në rritje të kushteve të funksionimit të militantëve dhe të zyrtarëve kjo është një gjë e papërgjegjshme nga ana e kryebashkiakëve, të cilët sot ankohen dhe kërkohen edhe më shumë fonde për t’i përdorur në mënyrë edhe më abuzive nga sa janë përdorur deri më sot”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›