Patatet, qepët, mollët dhe struktura e re e ekonomisë
Këto ditë, një nga ngjarjet, që ndonëse nuk po komentohet shumë, por e pranishme në disa media, është shqetësimi i fermerëve në disa krahina të vendit (Korçë, Kukës etj.), për fatin e prodhimeve të tyre, kryesisht të qepëve, mollëve dhe patateve.
Sipas të gjitha burimeve dhe njoftimeve, ky prodhim tradicional i fermerëve të këtyre zonave po përfundon ose i groposur, ose në lumë. Mundi i një sezoni prodhimi të këtyre produkteve bujqësore nuk gjen treg dhe nuk shndërrohet në të ardhura për të ripërsëritur aktivitetin e prodhimit të fermerëve të këtyre zonave. Fatkeqësisht, përveç një ngacmimi të ndonjë nga mediave, asnjë koment, asnjë reagim nga institucionet shtetërore, dhomat apo shoqatat e tregtisë dhe të fermerëve, asnjë. Përkundrazi, në ndonjë rast komentet kanë anuar në një ironi therëse deri në cinizëm se po kanë shumë prodhim, ndaj e groposin apo e hedhin në lumë. E dhimbshme.
ÇFARË PO NDODH NË FAKT?
Historia nuk është surprizë. Ajo nuk po ndodh për herë të parë. Po përsëritet thuajse çdo vit në këta 4-5 vjetët e fundit, në përmasa më të mëdha. Ajo po shndërrohet në kronike. Gropa dhe kanale të mbushura me qepë, patate dhe mollë të kalbura. Qindra kuintalë të tjera janë stoqe nëpër magazina. Për ti kultivuar e për të arritur këtë prodhim, fermerët kanë marrë miliona lekë borxh në banka e institucione financiare dhe të kreditit. Borxh për qiranë e tokës, borxh për të blerë farërat, borxh për ti mbjellë dhe borxh për pesticidet, borxh për magazinimin, borxh për transportin etj. E, më në fund, ka ardhur koha e shumëpritur për të shitur prodhimet dhe për të fituar diçka, ata kanë fituar vetëm humbjen dhe falimentin, zhgënjimin dhe dëshpërimin. Disfatë dhe falimentim për fermerët. Kredi të pakthyer nga fermerët ndaj bankave. Tronditje deri në dramë varfërie në veçanti dhe sociale në përgjithësi, në familjet e fermerëve në këto zona që kultivojnë këto produkte. Kjo është panorama që mund të përshkruhet me pak fjalë në këto zona. E, pas kësaj historie të shndërruar në drame fshihen shkaqet dhe arsyet e vërteta.
Cili është faji i fshatarit dhe qeveritarit, fermerit dhe institucionit, mentalitetit të tregut të lirë dhe diktimit të tregut?
Pa dyshim që në kushtet e tregut, është vetë ai tregu që vendos prodhimin, çmimin dhe shitblerjen e tij. Por kjo nuk ka vepruar dhe nuk vepron asnjëherë spontanisht dhe i shkëputur nga instrumentet e tjera po të tregut, politikat e tatimeve e të taksave, mbështetjet e formave të ndryshme financiare (subvencioneve), politikave orientuese, kultivuese për llojet e produkteve që duhen prodhuar, ofrimi i informacionit për kostot, sasitë, kuotat e eksportit-importit, çmimet e tarifat për këto produkte në vendet fqinje me të cilat ne i shkëmbejmë këto mallra, sasitë, pse jo, deri në kontrata paraprakeporositëse që fermerët mund të lidhin me entet publike (ushtria, spitalet, konviktet, mensat e shkollave me konvikte) etj. A nuk mund ti afrojmë më shumë me tregun e brendshëm e të jashtëm produktet e këtyre fermerëve të vendit tonë, që ato të jenë konkurruese? A nuk mund të përdorim tarifa sezonale dhe për produkte të caktuara, pa cenuar marrëveshjet? Këto i bën tregu, por e bëjnë edhe politikat e caktuara orientuese dhe mbështetëse qeveritare. Gjithkush i kupton detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë (CEFTA) për shkëmbimin e mallrave dhe të produkteve, por askush nuk kupton mungesën e elementeve të tjera të mësipërme. Ndryshe nuk ka si të ndodhë që institucionet publike përdorin të njëjtat produkte nga Kosova, Maqedonia apo deri nga Egjipti, ndërsa po ato produkte të fermerit tonë vazhdojnë të kalben të groposura? Pa dyshim që diçka mund të bëjmë. Ne mund tua ofrojmë gjithë ketë informacion fermerëve tanë. Bile më shumë. Ne duhet të kemi tashmë një hartë orientuese të produkteve që bujqësia jonë do të zhvillojë e prodhoje, e harmonizuar me kërkesat e brendshme konsumatore dhe ato të tregut rajonal e europian. Ndërkaq, vetë fermerët duhet të rrisin vazhdimisht cilësinë e prodhimit të tyre dhe të shtojnë informacionin dhe njohuritë e tyre për tregun dhe elementet e tjera që pleksen me të. Unë mendoj se këto do të ndihmonin në përmirësimin e situatës, por nuk do ta zgjidhnin përfundimisht problemin. Jo vetëm për bujqësinë, por për gjithë ekonominë e vendit tonë, e cila mund të infektohet edhe në sektorë të tjerë nga ky apo fenomene të ngjashme si ky. E pra, historia e patateve, mollëve dhe qepëve, druaj se tashmë nuk është më një histori e rastit. Dhe çfarë duhet të bëjmë?
NJË RISTRUKTURIM I RI I EKONOMISË I DOMOSDOSHËM
Tashmë nuk ka më dyshim se ritmet e rritjes ekonomike po kapin nivelin më të ulët të rënies së tyre në këto 3-4 vitet e fundit dhe po shoqërohen me rritjen e papunësisë dhe tronditjen e thellë të financave publike. Kjo për shkak të politikave ekonomike nxitëse (apo frenuese) e fiskale të brendshme dhe të ndikimit të krizës globale në përgjithësi dhe të asaj të eurozonës në veçanti. Në këto kushte, ekonomia e vendit tonë ka nevojë urgjente për zbatimin e një modeli riprioritarizimi të saj për të arritur në një STRUKTURË TË RE EKONOMIKE. Çfarë ekonomie do të zhvillojmë? Në cilat drejtime, sektorë, produkte do të orientohet zhvillimi i ardhshëm ekonomik i vendit (10-15 vitet që vijnë)? Sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike ka qenë në qendër të vëmendjes së diskutimeve dhe kërkimeve. Gjithashtu, eksperienca e rritjes ekonomike në shumë vende ka dëshmuar se shteti mund të luajë rol të rëndësishëm në transformimin industrial në veçanti dhe ekonomik në përgjithësi, të një vendi. Studimet e institucioneve më prestigjioze në këtë drejtim po japin rekomandime jo vetëm teorike, por edhe praktike, suksesi shumë të vlefshme. Ekonomi të ngjashme me ekonominë tonë, dhe me gati të njëjtën periudhë tranzicioni po i drejtohem një Strukturimi të Ri të Ekonomisë për ta bërë atë me eficiente dhe më konkurruese. Natyrisht që struktura ekonomike e një vendi nuk është statike, ajo do të varet nga përqindja e kapitalit të akumuluar dhe e progresit teknologjik.
Një Strukturë e Re e Ekonomisë duhet të konsiderojë disa veprime:
Së pari, zbatimi i një programi të identifikimit të faktorëve dhe prioriteteve se rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të.
Së dyti, pa dyshim që e gjitha kjo arrihet duke konsideruar drejt dhe me të gjithë këta faktorë, por, në veçanti, ata që ndikojnë më shumë, të cilët janë një kompozim relativ i resurseve natyrore, punës, kapitalit human dhe kapacitetit fizik, që në faza të ndryshme të zhvillimit janë të ndryshme.
Së treti, sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm (infrastrukturë, rregullimet institucionale, kushtet për zhvillimin e një biznesi të suksesshëm).
Pikërisht kjo Strukturë e Re Ekonomike (GIFF) që duhet të ndërtojmë, e koncepton aspektin e rritjes duke integruar brenda saj diçka nga struktura e vjetër (ekzistuese) ekonomike (degë, sektore, produkte), pra duke mos e anashkaluar atë çka kemi mundur të bëjmë deri sot dhe që rezulton efektive dhe e pranueshme në treg, nga njëra anë, duke analizuar procesin e zhvillimit dhe nxitjen e tij dhe, nga ana tjetër, rolin e shtetit në mbështetjen-lehtësimin (me politika ekonomike, fiskale, tarifore, reforma rregullatore) të ndryshimit strukturor në ekonominë e vendit (pra edhe në vendin tonë, që synon të kalojë nga një vend në zhvillim, në një vend të zhvilluar). Struktura e Re Ekonomike mund të arrihet e të përdoret duke zhvilluar një metodologji të identifikimit të sektorëve (produkteve) ku vendi mund të ketë një avantazh k
