Ligji i ri, pensionet e ushtarakëve, ndryshon mosha e përfitimit
Ligji i ri për pensionet e ish-ushtarakëve sjell një sërë ndryshimesh për këtë kategori. Gazeta “Albania” në suplementin e radhës “Albania Shërbim” sjell detaje për këto ndryshime që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo ish-ushtarakë që është në prag të pensionit ose do të jetë përballë kësaj situate në një të ardhme të afërt. Sipas ligjit të ri, pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Masa e pensionit të parakohshëm, në çastin që lind e drejta për përfitim: për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndërsa për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv. Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në rastet kur karriera është ndërprerë, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.
Pension suplementar
Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, të SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfitojnë pension pleqërie, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzojnë të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie. Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.
Pensioni i invaliditetit
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm përfitojnë të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Pjesëtarët e familjes, në ngarkim të personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, kur përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar.
Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është 50 për qind për bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim. Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji.
Boc
Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur:Plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt; Kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.
boc
Në vjetërsinë në shërbim përfshihen
Koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;
Koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1,5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
box
Paga referuese
Përfitimet, që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese.
Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi.
Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.
Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi, nuk ekziston më, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm (Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Komandanti i Gardës), Ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i SHISH-it, me urdhër, bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada, që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
E drejta e përfitimeve
1. E drejta e përfitimeve nga ky ligj nuk parashkruhet. Personi, që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.
2. Përfitimet e njohura, por të patërhequra nga personi, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.
3. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo për më shumë se për një vit.
4. Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore suplementare, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, e cila i mbahet çdo muaj, në masën 50 për qind të këstit mujor të përfitimit, si dhe dënohet me gjobë, në masën katërfish të shumës së përfituar në kundërshtim me ligjin, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.
Për rastet kur përfitimi është llogaritur gabim, masa e ndalesës është 20 për qind e këstit mujor.
Rillogaritja e të drejtave të njohura
1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientët e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.
3. Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e nenit 11 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor l. 1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji.
29 Janar 2010