Amnistia Fiskale, planifikohet zhbllokimi i miliarda lekëve kapitale
Ervin KOÇI
Kriza ekonomike që ka prekur prej dy vjetësh vendin, ka nxjerrë në pah nevojën për bërjen e një amnistie fiskale. E kërkuar disa herë nga biznesi vendas, mundësia e bërjes faktike të kësaj amnistie për herë të parë po shikohet seriozisht edhe nga qeveria. Parashikimet për një vit jo pozitiv financiar, kanë vënë në lëvizje strukturat për të gjetur mekanizmat e duhura për të përballuar krizën. Në këtë kuadër amnistia fiskale duket të jetë lëvizja e radhës. Ekspertët e ministrive të Financave dhe të Ekonomisë, kanë nisur diskutimin me biznesin për aplikimin e amnistisë brenda këtij 6-mujori. Ky do të jetë rasti i parë i një ligji për amnistinë e parave, që nga fillimi i aplikimit të ekonomisë së tregut në vitin 1990. E kërkuar gjatë viteve 1999-2000 nga ish-presidenti Meidani, amnistia fiskale duket se do të bëhet realitet gjatë këtij viti dhe për të vënë në zbatim këtë, po hartohet një ligj i veçantë. "Pro" kësaj ideje është shprehur edhe biznesi, i cili e mbështet nismën edhe pse janë një sërë pyetjesh që e shoqërojnë këtë çështje.
Ekspertët
Sipas deputetit të mazhorancës, Shefedin Shehu, vendi ynë ka nevojë për një amnisti të fortë fiskale por edhe të fushave të tjera. "Shqipëria është një vend që erdhi nga një sistem komunist dhe me një ekonomi të centralizuar, pa eksperiencë në treg dhe mbase, tani mendoj se është koha për një të tillë"- u shpreh Shehu. Lidhur me mënyrën se si aplikohet amnistia fiskale, deputeti Shehu thekson se nuk ka aspak procedura të ngarkuara, thjesht kjo kërkon bërjen e një ligji ku u kërkohet të gjithëve të deklarojnë paratë dhe pasurinë dhe për një afat të caktuar paguajnë tatim. "Amnistia ka shumë efekte pozitive dhe pak negative. Përmes saj çlirohen kapitale dhe para që futen në qarkullim. Mund të bëjmë një paralelizëm me procesin e legalizimeve, për sa i përket avantazheve që ka. E vetmja negative që unë shoh është kushti që imponon ajo, dhe pikërisht me faktin që, në qoftë se e shpall njëherë nuk duhet ta përsërisësh sërish ose të paktën kështu është teknikisht"- shton Shefedin Shehu. Midis amnistisë fiskale dhe më shumë lek në arkën e shtetit, deputeti vendos barazimin duke theksuar se fakti që do të taksohen të ardhura dhe pasuri të padeklaruara, sigurisht që do ndikojnë pozitivisht për arkën. Po kështu sipas Shehut, amnistia mund të merret si një pikë që i jep shtytje zhvillimit të ekonomisë, për vetë faktin se hap mundësi të reja me qarkullimin e kapitaleve dhe parave.
Shembujt
Ndërkohë që parashikimet se 2010-ta do të jetë një vit i vështirë për sa i përket financave, kanë hapur sërish çështjen e amnistisë, kjo pritet të konkludohet shumë shpejt me një ligj dhe më pas me një zbatim në gjashtë mujorin e ardhshëm. Po cilat janë disa nga vendet që e kanë aplikuar amnistinë fiskale? Më e fundit ka qenë Italia. Në dhjetor të vitit të kaluar, shteti italian vendosi që kompanitë që ushtronin aktivitetin e tyre jashtë vendit, të deklaronin kapitalin dhe të ardhurat gjë që u shoqërua edhe me taksën përkatëse. Falë kësaj u arrit që në pak kohë, arkës së shtetit fqinj t'i shtoheshin 80 miliardë euro. Nëse i referohemi rajonit Greqia ka qenë një ndër shtetet që e ka diskutuar mjaft çështjen e amnistisë fiskale. Shembulli tipik i përsëritjes me sukses disa herë me radhë të kësaj procedure është Rusia, e cila në vitet '90 e aplikoi tre herë amnistinë fiskale.
Biznesi
Reforma e amnistisë fiskale vlerësohet tej mase nga biznesi, por nga ana tjetër mbetet shqetësimi i penalizimit nga qeveria, pasi do të duhet të deklarojnë të ardhurat e fshehura për vite të tëra. Në këtë pikë, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë së Tiranës kërkojnë garanci që në momentin e zbatimit të amnistisë të mos ketë ndëshkime me gjoba, por t’i shkohet deri në fund projektit. Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë e ka përfunduar hartimin e projektit të amnistisë fiskale, duke ia kaluar për shqyrtim Ministrisë së Financave. Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës, Eugenia Gjuraj, thotë se reformat e qeverisë për të legalizuar ekonominë nuk do të ishin të plota pa një amnisti të përgjithshme. Amnistia fiskale është kërkuar nga Dhoma e Tregtisë që në fillimet e krizës ekonomike, madje duke propozuar skema të ndryshme, por ministri i Financave ka refuzuar të gjejë zgjidhje, me faktin se “nga biznesi nuk ka asnjë ide të qartë”.
Shkurt////////////////////////
Konfindustria kërkon rregullimin e ligjit “Anti-mafia”
Pasojat e zbatimit të ligjit “Anti-mafia” do të jenë mjaft të rënda dhe me efekt afatgjatë për ekonominë shqiptare nëse nuk kryhet njëkohësisht dhe në një kohë sa më të shpejtë amnistia fiskale. Një fakt i tillë është pohuar nga Konfindustria përmes një deklarate të saj për shtyp. “Konfindustria mendon se vetëm shoqërimi dhe ndërthurja e ligjit “Anti-mafia” me amnisti fiskale të plotë mund të sjellë njëkohësisht goditjen e grupeve kriminale dhe të garantojë mbrojtjen e pasurisë të biznesit e qytetarëve shqiptare, por edhe të mundësojë të ardhura financiare të rëndësishme për ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit”, citon kjo deklaratë. Sipas saj, zbatimi i ligjit “Anti-mafia” në gjendjen e tashme institucionale, ekonomike të Shqipërisë, pa kryer amnisti fiskale për kapitalet, asetet dhe të ardhurat e qytetarëve shqiptare, rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktimin e pasojave të rënda në uljen e remitancave të emigrantëve, nxitje për largimin e kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar shqiptar, ngadalësim të nismave investuese, si edhe pasiguri në pasurinë e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.
29 Janar 2010