E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen detajet e vrasjes së shqiptarit nga dy serbë në Firence

FIRENCE - Dy të rinj serbë janë autorët e masakrës së ndodhur dje në Firence të Italisë ku viktimë mbeti një djalë shqiptar, i cili u përpoq të shmangë precipitimin e një sherri mes autorëve dhe bashkëpatriotit të tij. Adnand Diko, 21 vjeç, emigrant nga Shqipëria, mbeti viktimë e goditjes me thikë nga shtetasit serbë, Arian Joniç, 20 vjeç, banues në Firence dhe Mebruz Bejzak, 28 vjeç, banues në Modena. Diko gjeti vdekjen në tentativë për të mbyllur një sherr, kur u qëllua me thikë në ambiente e një lokali në Firence. Grindja kishte nisur për motive banale në brendësi të lokalit dhe bëhej fjalë për dy bashkatdhetarë të tjerë të shqiptarit. Në fillim ata kishin përdorur stekat e bilardos, e më pas, Adnandi, në përpjekje për të ndaluar këtë gjë, u qëllua me thikë ku humbi një sasi të madhe gjaku gjatë transportit për në spital dhe për pasojë, gjeti dhe vdekjen.
Pas dëshmive që thanë të pranishmit në vendngjarje, policia arrestoi shtetasit Arian Joniç, 20 vjeç, banues në Firence dhe Mebruz Bejzak, 28 vjeç banues në Modena. Ata u njohën menjëherë nga dëshmitarët dhe për të dy u mor masa e arrestit me akuzën e “vrasjes me qëllim”.

Dy persona në pranga për trafikun klandestin të turqve në Rinas

TIRANË – Dy persona janë arrestuar pasi planifikuan për të kaluar në mënyrë klandestine përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit dy shtetas të huaj në këmbim të një sasie të konsiderueshme parash. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje u arrestuan shtetasit Bernard Demirlika, 33 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Valmir Domi, 38 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, Demirlika dhe Domi u kapën në flagrancë pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të ndihmojnë të tjerë për të kaluar kufirin me destinacionin Austrinë, nëpërmjet linjës ajrore Rinas-Kosovë-Hungari-Austri dy shtetas nga Turqia. Paraprakisht, dyshohet se që të dy kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri duke marrë pagesë prej 6 500 euro për person, pagesë kjo e cila ishte bërë ndaj tyre nga dy qytetarë të kombësisë turke. “U kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës.

29 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›